☁️
Tiranë 13°C · Vranët 03 Nëntor 2026
S&P 500 7,586 ▲0.59%
DOW 51,858 ▼0.24%
NASDAQ 25,436 ▲1.08%
NAFTA 95.76 ▼0.73%
ARI 3,947 ▼0.58%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650 EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650
₿ CRYPTO
BTC $77,662 ▲ +0.07% ETH $2,298 ▲ +0.95% XRP $1.2794 ▲ +2.34% SOL $93.6100 ▲ +0%
S&P 500 7,586 ▲0.59 % DOW 51,858 ▼0.24 % NASDAQ 25,436 ▲1.08 % NAFTA 95.76 ▼0.73 % ARI 3,947 ▼0.58 % S&P 500 7,586 ▲0.59 % DOW 51,858 ▼0.24 % NASDAQ 25,436 ▲1.08 % NAFTA 95.76 ▼0.73 % ARI 3,947 ▼0.58 %
EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650 EUR/USD 1.1195 EUR/GBP 0.8350 EUR/CHF 0.9176 EUR/ALL 91.0200 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5648 EUR/TRY 55.9660 EUR/JPY 176.79 EUR/CAD 1.5650
03 Nën 2026
Breaking
Kronika

Çmontohet rrjeti ndërkombëtar i zhvatjes me Call-Centera, kontrolle edhe në Shqipëri! SPAK pjesë e operacionit të Eurojus

Një rrjet ndërkombëtar i dyshuar për mashtrime me investimet online është goditur nga autoritetet e disa shteteve, në një operacion të koordinuar nga Eurojust dhe Europol.

Në kuadër të aksionit janë arrestuar shtatë persona, janë kontrolluar 17 ambiente dhe janë sekuestruar më shumë se 100 servera që dyshohet se përdoreshin për aktivitetet kriminale.

Operacioni përfshiu Shqipërinë, Kosovën, Gjermaninë, Qipron, Finlandën, Izraelin dhe Maqedoninë e Veriut. Humbjet financiare të shkaktuara nga kjo skemë mashtrimi i Call Center-ave vlerësohen në mbi 4 milionë euro.

Hetimet nisën në vitin 2022, pas denoncimit të një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet e tij përmes një platforme online, por nuk arriti të tërhiqte fitimet e pretenduara.

Sipas hetuesve, rrjeti përdorte platforma tregtare online që paraqiteshin si legjitime, duke u premtuar viktimave fitime të larta në një kohë të shkurtër përmes investimeve në kriptovaluta, monedha të huaja dhe aksione. Fillimisht, investitorët transferonin shuma të vogla parash, ndërsa në platformat përkatëse u shfaqeshin fitime të fryra për të krijuar besimin se investimi ishte i suksesshëm.

Më pas, ndërmjetësit ushtronin presion psikologjik ndaj viktimave për të investuar shuma gjithnjë e më të mëdha. Kur këta të fundit kërkonin të tërhiqnin paratë, përballeshin me justifikime dhe vonesa të vazhdueshme, deri në momentin kur personat përgjegjës zhdukeshin bashkë me fondet.

Pas më shumë se katër vitesh hetime, autoritetet zhvilluan disa faza operacionesh ndërkombëtare. Aksioni i parë, në vitet e mëparshme, çoi në dy arrestime dhe sekuestrimin e provave materiale. Analiza e mëtejshme e tyre ndihmoi në identifikimin e shtatë të dyshuarve të tjerë, mes të cilëve edhe drejtues të qendrave të thirrjeve që dyshohet se kontaktonin viktimat për t’i bindur të investonin më shumë para.

Hetimet zbuluan gjithashtu një kompani me seli në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se ofronte shërbime kriminale në formën e një modeli të njohur si “krimi si shërbim” (Crime as a Service). Sipas autoriteteve, kompania dyshohet se furnizonte grupe kriminale me faqe interneti mashtruese, të cilat përdoreshin për të zhvilluar skema mashtrimi online.

Në mesin e klientëve të dyshuar të kësaj kompanie janë identifikuar edhe subjekte në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat dyshohet se administronin qendra telefonike të përdorura për mashtrimin e investitorëve.

Në kuadër të operacionit të fundit, autoritetet ushtruan kontrolle në 17 lokacione, përfshirë një qendër thirrjesh në Kosovë. U sekuestruan më shumë se 100 servera, dokumente, prova elektronike dhe asete të tjera që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal. Shtatë persona u arrestuan me qëllim dorëzimin ose ekstradimin e tyre në Gjermani.

Një rol të rëndësishëm në hetim ka pasur bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare. Në Eurojust u ngritën dy ekipe të përbashkëta hetimore: një mes Gjermanisë, Polonisë dhe Shqipërisë, si dhe një tjetër mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga pala shqiptare në operacion morën pjesë Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit. Ndërkohë, Europol ofroi mbështetje për analizën e të dhënave, hetimet dixhitale dhe verifikimin e provave, duke dërguar ekspertë në Shqipëri dhe Kosovë.

Veprimet u kryen nga autoritetet e mëposhtme:

Gjermania: Zyra e Prokurorit Publik në Gjykatën Rajonale të Itzehoe, Departamenti për Luftimin e Krimit Kibernetik; Zyra Shtetërore e Hetimit Penal Schleswig-Holstein

Qipro: Policia e Qipros

Finlanda: Byroja Kombëtare e Hetimit

Shqipëria: Zyra e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK); Byroja Kombëtare e Hetimit; Policia e Shtetit Shqiptar

Izrael: Policia e Izraelit – Njësia Kombëtare e Krimit Kibernetik Lahav 433 dhe Njësia e Ndihmës Ligjore – Dega e Inteligjencës

Kosovë: Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës; Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori i Hetimeve Financiare

Maqedonia e Veriut: Zyra e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit; Ministria e Brendshme, Byroja për Sigurinë Publike – Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.