Debate në Konferencën e Kryetarëve, PD kërkon mocion me debat për protestën e qytetarëve. S’ka dakordësi, vendimi i kalon seancës plenare
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u diskutua kërkesa e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me protestën dhe kërkesat e qytetarëve.
Seanca u zhvillua me debate mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa nuk u gjet dakordësia për mocionin me debat dhe vendimmarrja i kaloi seancës plenare së radhës.
Gjatë diskutimeve, deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se Kuvendi është “jashtë realitetit”, duke theksuar se nuk mund të injorohet, sipas saj, prania e qytetarëve në protestë prej 25 ditësh përpara parlamentit. Ajo tha se protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe kanë ngritur shqetësime që, sipas saj, janë reflektuar edhe në raportet e Parlamentit Europian.
“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Nëse ju, si mazhorancë, kërkoni të silleni kështu, ne si opozitë nuk do ta lejojmë. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur plot me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, dhe që kanë kërkesa konkrete. Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Ju e keni raportin dhe po jua citoj këtu. Është Parlamenti Europian që ka diskutuar për zgjedhjet dhe për korrupsionin. Ka diskutuar për imunitetin e Belinda Ballukut dhe ka dënuar mbrojtjen politike që ju i garantuat. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se po shmang debatin për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se, sipas tij, ai përmban kritika për korrupsionin, ligjet klienteliste dhe lirinë e medias.
Bardhi deklaroi se mazhoranca ka ndryshuar qëndrim për zhvillimin e debatit parlamentar dhe po përpiqet të shmangë diskutimin mbi raportin.
“Ju kemi tmerr nga debati për Raportin e PE. Ju nxin ne çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian. Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat”, tha Bardhi.
Ai shtoi se opozita nuk pretendon të përfaqësojë protestën, por të përcjellë shqetësimet e qytetarëve në institucionet parlamentare.
“Ne nuk kemi pretenduar dhe as nuk synojmë të bëhemi zëdhënës të protestës. Ne dëgjojmë qytetarët dhe përcjellim shqetësimet e tyre. Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë. Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët. Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. A e kuptoni se në çfarë absurditeti jeni? Njëzet deputetë të Parlamentit Europian flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa askush nga ju nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë. Por ju nuk keni kohë për këtë, sepse jeni duke përgjuar pas vrimës së çelësit për të sulmuar protestuesit”, tha Bardhi.
Edhe deputetja e PD-së Ina Zhupa deklaroi se është “e turpshme” sipas saj të fabrikohen prova për të sulmuar protestuesit. Ajo tha se protesta përfaqëson mijëra qytetarë dhe nuk mund të reduktohet në numra të vegjël, siç u shpreh ajo.
“Nuk ka rrugë tjetër për ju përveçse të merrni në konsideratë kërkesat e qytetarëve,” u shpreh ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.