Debate në Kuvend për protestën, Bardhi: Policia të ndalë dhunën ndaj protestuesve, dëgjoni qytetarët. Balla: Ata kërkojnë “Saliu në burg”, a e plotësoni dot?
Debate të forta janë zhvilluar në sallën e Kuvendit gjatë seancës së fundit plenare, ku në fokus ka qenë situata jashtë Parlamentit dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar nga Kuvendi që t’i bëjë thirrje Policisë së Shtetit të ndalë, sipas tij, dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë godinës së Parlamentit.
“Ky Kuvend duhet t’i kërkojë Policisë të ndalë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë godinës së Kuvendit. Është e papranueshme që godina është rrethuar nga forca sigurie, a thua se qytetarët po na rrezikojnë ne jetën”, tha Bardhi.
Ai tha se protesta dhe kritika e qytetarëve janë pjesë e demokracisë dhe se nuk mund të justifikohen ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve.
“Pa asnjë diskutim do të rrezikohet të bëhet pis kostumi me ndonjë vezë, por ky nuk është as halli i Kuvendit dhe as i Policisë së Shtetit. Kjo nuk justifikon dhunën ndaj qytetarëve, përdorimin disproporcional kundër protestuesve dhe atë që po ndodh jashtë kësaj salle. Askush prej nesh nuk duhet të ndihet i rrezikuar nga kritika e qytetarëve dhe kërkesat e tyre. Ne duhet t’i marrim seriozisht kërkesat e tyre dhe t’i bëjmë pjesë të programit të punës, t’i shqyrtojmë me urgjencë dhe jo të rrimë në heshtje, ndërkohë që të moshuar dhe të rinj po dhunohen nga punonjësit e shtetit”, tha Bardhi.
Ai theksoi se roli i policisë është garantimi i rendit dhe sigurisë, duke shtuar se protestuesit kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre.
“Detyra e Policisë është të sigurojë rendin, të parandalojë ngjarjet kriminale dhe nuk ka asnjë rrezik për këtë institucion. Deputetët nuk i rrezikon veza e qytetarëve. Ata kanë të drejtën e tyre për të protestuar, por frika juaj nuk mund të justifikojë kurrë dhunën ndaj qytetarëve”, u shpreh ai.
Pas deklaratave të Bardhit ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se dallimi mes PS-së dhe PD-së lidhet me mënyrën se si e trajtojnë dhunën dhe raportin me të kaluarën politike.
“Ky është dallimi më i madh mes PS dhe PD. PS-ja nuk ka vuajtur nga 12 qershori i vitit 1991 e deri më sot nga sindroma e Stokholmit, ku i dhunuari bie në dashuri me dhunuesin”, deklaroi Balla.
Ai iu drejtua Bardhit duke e pyetur nëse do të pranonte kërkesat e protestuesve, që kërkonin “Berisha në burg”
“Do të plotësosh kërkesën e protestuesve: ‘Saliu në burg’, thonë ata. Plotësoja kërkesën. A ia plotëson dot?”, tha Balla.
Debati mes dy drejtuesve të grupeve parlamentare u zhvillua në një klimë të tensionuar, ndërsa jashtë godinës së Kuvendit vijon protesta, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.