Deputeti i “Mundësisë” denoncon sulmin nga policia: Më hodhën pabesisht gaz në fytyrë (VIDEO)
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, thotë se është sulmuar me spraj me piper gjatë protestës së ditës së sotme.
Ai ka publikuar disa pamje në rrjete sociale teksa ishte duke filmuar momentet kur u kërkonte llogari efektivëve me skafandra dhe kokore, të cilët ndiqnin protestuesit.
Në këto momente, deputeti i Mundësia ka kërkuar llogari nga efektivët se përse po dhunonin protestuesit, të cilët ishin paqësorë.
Kapri thotë se, edhe pse u identifikua si deputet, është sulmuar me spraj me piper nga një efektiv policie.
“Para syve të mi, disa të rinj po goditeshin nga policia pa mëshirë me shkopinj gome. Teksa u kërkoja të ndalonin, një polic që më kishte identifikuar më erdhi nga pas dhe më hodhi pabesisht një sasi të madhe gazi helmues drejt e në fytyrë. Nëse një polic guxon ta bëjë këtë ndaj një deputeti, mes sheshit, mendoni çfarë u kanë bërë të rinjve nëpër rrugica! Do mbani përgjegjësi, një më një! Nuk na ndalni!”, shkruan Kapri në rrjetet sociale.
“Të dashur miq, ja ku jam. Jam në QSUT, por po e marr veten. Ju falenderoj për çdo mesazh. Nuk na bëjnë dot gjë. Më shumë ishte një protestë e jashtëzakonshme. Autokracia e fundit në Evropë dorëzohet nga rinia shqiptare. Shihemi në shesh”, thotë Kapri në një video tjetër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.