🌤️
Tiranë 25°C · Kryesisht kthjellët 09 August 2026
S&P 500 7,758 ▲0.62%
DOW 54,037 ▲0.28%
NASDAQ 26,691 ▲1.3%
NAFTA 78.18 ▲0%
ARI 4,400 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9344 EUR/ALL 93.2155 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3391 EUR/TRY 55.1236 EUR/JPY 182.40 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9344 EUR/ALL 93.2155 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3391 EUR/TRY 55.1236 EUR/JPY 182.40 EUR/CAD 1.6122
₿ CRYPTO
BTC $65,137 ▲ +0.14% ETH $1,924 ▲ +0.11% XRP $1.0444 ▲ +0.13% SOL $77.3700 ▲ +1.42%
S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲0 % ARI 4,400 ▲0 % S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲0 % ARI 4,400 ▲0 %
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9344 EUR/ALL 93.2155 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3391 EUR/TRY 55.1236 EUR/JPY 182.40 EUR/CAD 1.6122 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9344 EUR/ALL 93.2155 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3391 EUR/TRY 55.1236 EUR/JPY 182.40 EUR/CAD 1.6122
09 Aug 2026
Breaking
Kosova

Deputeti ukrainas kritikon Zelenskyn për Kosovën: Ishte gabim diplomatik

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, njëherësh iniciues i Projektligjit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, ka kritikuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, lidhur me qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.

Zelensky, gjatë vizitës në Serbi, deklaroi se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Goncharenko e ka cilësuar këtë deklaratë si “gabim diplomatik”.

Përmes një postimi në platformën “X”, deputeti ukrainas ka publikuar deklaratën e Zelenskyt, ndërsa ka shpërndarë edhe një fotografi ku shihet se slogani “Free Ukraine” është larguar nga Hoteli Grand në Prishtinë.

“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, ka shkruar Goncharenko.

Goncharenko është një prej zërave më të njohur në Ukrainë që ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kievi.

Ai ka iniciuar në Parlamentin ukrainas Projektligjin për njohjen e Kosovës, duke argumentuar se një hap i tillë do të ishte në përputhje me interesat dhe politikën e jashtme të Ukrainës.

Ndërkohë, deklarata e Zelenskyt në Beograd se Ukraina nuk planifikon ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës ka shkaktuar reagime në Kosovë, veçanërisht pas vendimit për largimin e sloganit “Free Ukraine” nga Hotel Grand në Prishtinë.

Reagimi i Qeverisë së Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë një ditë më parë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur keqardhje e duke theksuar se kundërshton paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, tha Konjufca në reagimin e tij në X.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe tha se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Udhëheqësi ukrainas tha se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.

Konjufca u kundërpërgjigj ndaj kësaj deklarate, duke u shprehur se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.

Konjufca tha se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca.

Lidhur me deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Shqipëria.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.

“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, tha Ministria në reagimin e 9 gushtit.

Shqipëria tha se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008.

“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkon “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës”.

“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, u tha në reagim.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, përsëriti qëndrimin se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Tirana tha se është “e kuptueshme” dhe “legjitime” që vizita e Zelenskyt në Serbi, para së gjithash, i shërben interesave të Ukrainës. Megjithatë shtoi se çdo hap që i ndihmon Serbinë të largohet “nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën është pozitiv”.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.

Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me bllokun për të sanksionuar Rusinë. Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit./Telegrafi.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.