⛅
Tiranë 5°C · Pjesërisht vranët 25 Nëntor 2026
S&P 500 7,201 ▼0.5%
DOW 50,019 ▲0.85%
NASDAQ 23,734 ▼1.48%
NAFTA 80.40 ▼2.01%
ARI 3,517 ▼1.26%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
₿ CRYPTO
BTC $59,205 ▼ -2.1% ETH $1,659 ▼ -2.38% XRP $0.9202 ▼ -2.85% SOL $68.7500 ▼ -4.24%
S&P 500 7,201 ▼0.5 % DOW 50,019 ▲0.85 % NASDAQ 23,734 ▼1.48 % NAFTA 80.40 ▼2.01 % ARI 3,517 ▼1.26 % S&P 500 7,201 ▼0.5 % DOW 50,019 ▲0.85 % NASDAQ 23,734 ▼1.48 % NAFTA 80.40 ▼2.01 % ARI 3,517 ▼1.26 %
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
25 Nën 2026
Breaking
Greqia

Dëshmitë rrëqethëse të mjekëve të spitalit Papanikolaou: na foli kur u mbyll dera

Me rastin e Ditës Botërore për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, mjekët e urgjencës në Selanik rrëfejnë rastet e grave të dhunuara, frikën e tyre për të folur dhe procedurën që i vë nën mbrojtje

Mjekët e reparteve të urgjencës që kanë trajtuar gra viktima të dhunës në familje i kanë bërë publike dëshmitë e tyre përmes spitalit “G. Papanikolaou” të Selanikut, me rastin e Ditës Botërore për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, siç njofton gazeta greke Efsyn. Ata përshkruajnë rastet e dhunës, frikën e viktimave dhe vështirësitë që hasin gratë për të folur hapur.

Trajtimi i këtyre rasteve ndjek një procedurë të caktuar: ofrohet ndihma e nevojshme mjekësore dhe njoftohen autoritetet kompetente. Policia shkon në spital dhe aktivizohen procedurat e parashikuara me ligj, përfshirë ndjekjen në flagrancë, ndërsa për gruan që denoncon nuk ka asnjë barrë financiare. Megjithatë, siç theksojnë mjekët, ecuria e çështjeve dhe gjendja e grave pasi dalin nga spitali mbeten shpesh të panjohura, dhe deri më sot asnjëri prej tyre nuk është thirrur të dëshmojë në hetimin gjyqësor të këtyre rasteve.

Një rast karakteristik është ai i një gruaje 60-vjeçare, e cila ndihej e sigurt t’u rrëfehej mjekëve dhunën që kishte pësuar vetëm kur u gjend pas një dere të mbyllur. “Për shkak të disa dëmtimeve edhe në gjymtyrët e poshtme e dërgova te ortopedët. Ambienti i urgjencës ortopedike mbyllet me derë, ndërsa i yni me perde. Kur u gjend pas derës së mbyllur dhe burri nuk ishte pas një perdeje, atje gjeti qetësi dhe siguri dhe i tha kolegut saktësisht çfarë kishte ndodhur: se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin dhe se dëmtimet vinin nga dhuna e burrit të saj”, rrëfen një mjeke. Gruaja kishte shenja në disa pika të trupit dhe mavijosje të vjetra; arsyeja e ardhjes në urgjencë, siç tha vetë, ishte se gjatë një sherri burri kishte ecur mbrapsht me makinë dhe e kishte goditur. Ajo foli për episode të përsëritura prej kohësh. Mjekët njoftuan policinë, e cila e mori burrin për ta shoqëruar në komisariat. “Nuk e dimë çfarë ndodh më pas. Kur gruaja kthehet në shtëpi, mund të ndodhë diçka edhe më e keqe. Këtë nuk e dimë kurrë”, shton mjekja.

Një rast tjetër e përshkroi mjekja specializante e kirurgjisë, Hristina Georgantzidu, për një grua rreth 40 vjeçe që kishte shkuar vetëm, natën, në spital: ajo u kishte thënë që në triazh se ishte viktimë e dhunës së partnerit, i cili e kishte goditur me grushte e shkelma në makinë pas një mosmarrëveshjeje. Para se të vinte në spital, ajo kishte shkuar vetë në komisariat dhe policia kishte shkuar tashmë për të marrë deklaratën e partnerit. “U largua nga spitali me qetësues dhe udhëzime mjekësore. Ecurinë, fatkeqësisht, nuk e dimë”, thekson Georgantzidu.

Mjeku specializant i kirurgjisë, Panajotis Psarras, shpjegon se besimi fitohet gradualisht: shumë gra në fillim thonë se janë rrëzuar ose janë dëmtuar ndryshe, dhe vetëm gjatë marrjes së historikut e pranojnë dhunën. “Ne kemi detyrë, përtej pjesës mjekësore, t’u shpjegojmë se me këtë procedurë që parashikon ligji ato nuk ekspozohen, përkundrazi mbrohen”, thotë ai, duke shtuar se në disa raste, kur gratë rikthehen për kontroll pas 10–15 ditësh, raportojnë se nuk ka pasur episode të reja dhe se thirrja e policisë duket se vepron si frenues.

Mjekja specializante Dimitra Athanasiou rrëfen se në të paktën dy raste mjekët i mbajtën gratë në spital gjatë natës, edhe pa dëmtime serioze, vetëm për t’i larguar përkohësisht nga mjedisi i tyre derisa të përparonte procedura në flagrancë. Ajo nënvizon se gratë dhe fëmijët e tyre duhet të dërgohen nga policia në hapësira të sigurta dhe jo të qëndrojnë një a dy netë në spital, duke kërkuar struktura konkrete mbrojtjeje dhe një ambient të posaçëm për ekzaminimin e rasteve të dhunës.

Edhe mjeku specializant Konstandinos Siozos thekson se përvoja i ndihmon mjekët të dallojnë kur një “aksident” është i dyshimtë, ndërsa pranon kufijtë e ndërhyrjes: nuk është e lehtë të njoftohen autoritetet pa pëlqimin e gruas, dhe prania e burrit në ekzaminim shpesh shërben pikërisht për ta mbajtur atë në heshtje.

Mesazhin përmbyllës e jep zëvendësdrejtorja e spitalit, Anatoli Konstandinidou, e cila u bën thirrje grave të prishin heshtjen: “E dimë sa e vështirë është të flasësh kur ke frikë, por heshtja nuk mbron — vetëm lëndon. Prisheni heshtjen. Nuk jeni vetëm! Dyert tona dhe zemrat e njerëzve tanë janë të hapura. Ju takon një jetë pa frikë”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.