Moti në Greqi: reshje sot, nga e enjtja vjen vala dimërore me borë dhe stuhi
Pas një të mërkure me diell dhe reshje lokale, një ciklon nga veriperëndimi e përkeqëson motin nga e enjtja; nga e diela erëra veriore deri në 10 boforë, rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në zonat malore
Moti sot, e mërkurë 25 nëntor, do të jetë me diell në shumicën e rajoneve të Greqisë, me pak vranësira dhe reshje lokale kryesisht në perëndim dhe në jug, por nga e enjtja e tutje priten stuhi dhe rënie e temperaturës, siç njofton gazeta greke Efsyn duke iu referuar meteo.gr.
Sipas parashikimit, sot pritet diell me vranësira që herë pas here do të shtohen. Reshje lokale mund të bien në orët e mëngjesit në Peloponezin lindor e jugor dhe në Kretë, ndërsa nga pasditja fenomenet ka të ngjarë të shfaqen në zonat kontinentale perëndimore dhe në Jon. Në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit dukshmëria do të jetë e kufizuar në disa zona, kryesisht në zonat kontinentale qendrore e veriore, ndërsa në mëngjes në veri pritet brymë.
Temperatura do të luhatet nga 0 deri në 13 gradë në Greqinë e Veriut, me Maqedoninë Perëndimore nga -3 deri në 10 gradë. Në Greqinë qendrore dhe jugore do të jetë nga 5 deri në 15 gradë, në perëndim nga 4 deri në 16, në Qiklade dhe Kretë nga 10 deri në 18, në ishujt e Egjeut Lindor nga 6 deri në 12 dhe në Dodekanez nga 14 deri në 18 gradë Celsius. Në Atikë pritet diell me vranësira të rralla dhe temperaturë nga 9 deri në 16 gradë, ndërsa në Selanik diell me pak vranësira dhe temperaturë nga 4 deri në 13 gradë.
Nga e enjtja, sipas meteorologes së ERT-së, Anastasia Tiraski, një ciklon që i afrohet vendit nga veriperëndimi do të shkaktojë përkeqësim gradual të motit: vranësirat do të shtohen dhe nga orët e pasdites priten reshje e stuhi, kryesisht në Jonin verior dhe në Epir. Erërat jugore do të forcohen, duke arritur 7 boforë në Jon dhe 5–6 boforë në Egje, ndërsa temperatura do të shënojë rritje të lehtë.
Të premten fenomenet do të intensifikohen, me reshje e stuhi në Greqinë perëndimore, qendrore dhe veriore; vëmendje e veçantë kërkohet në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore të vendit, ku fenomenet mund të jenë lokalisht të forta. E shtuna pritet me shi në pjesën më të madhe të vendit, me reshje e stuhi të shumta, kryesisht në perëndim dhe veri.
Ndryshimi më i rëndësishëm i motit pritet nga e diela, kur cikloni do të lëvizë më në lindje dhe do të mbizotërojnë erëra veriperëndimore veçanërisht të forta: sipas të dhënave të parashikimit, erërat veriore në Egje mund të arrijnë edhe 10 boforë. Reshje të shumta priten në Maqedoninë qendrore, Thesali, Sterenë lindore, Eube dhe Sporade, ndërsa temperatura do të bjerë shpejt dhe ndjeshëm nga veriu drejt jugut.
Nga e diela priten edhe reshje bore, fillimisht në zonat malore të Greqisë qendrore e veriore, të cilat deri në mbrëmje do të shtrihen edhe në zonat malore të pjesës tjetër kontinentale. Erërat e forta veriore dhe temperaturat e ulëta vlerësohet se do të mbahen të paktën deri në mesin e javës së ardhshme. Dhjetori pritet kështu të nisë me kushte krejtësisht dimërore, duke i dhënë fund periudhës së zgjatur me temperatura të larta për stinën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.