”National Geographic” sjell në vëmendje Vjosën, lumin e fundit të egër të Evropës, ku i jep jetë ekonomisë lokale
– Vjosa dhe peizazhet e saj të veçanta, biodiversiteti dhe mundësitë që krijon për komunitetet lokale janë në qendër të një reportazhi të prestigjiozes ”National Geographic”, që përcjell një udhëtim nga burimi i lumit deri në derdhjen e tij në det.
Eksploruesi i ”National Geographic”, Nick St. Oegger, sjell përmes një reportazhi bukuritë natyrore dhe vlerat ekologjike të lumit Vjosa.
Reportazhi pasqyron bukurinë natyrore të Vjosës, e cila përshkon mbi 250 kilometra në territorin shqiptar, duke ruajtur rrjedhën e saj të lirë, pa diga, si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në jetën e banorëve të zonës.
”Herën e parë që pashë Vjosën, nuk e kuptova se po shihja një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Të ndjekësh Vjosën përmes Shqipërisë do të thotë të afrohesh me diçka të rrallë, një lumë që rrjedh sipas rregullave të veta. Një lumë i egër, pa diga, që riformëson vazhdimisht tokën dhe njerëzit përreth tij. Vjosa hap rrugën, duke përshkuar mbi 250 kilometra nga burimi e deri në det. Kur je pas timonit, ti e ke kontrollin.
Gjithçka funksionon në harmoni, por Vjosa rrjedh e lirë.
Dhe gjithmonë shfaqet një kthesë tjetër, një grykë tjetër, një peizazh tjetër. Pas qytetit të Përmetit, lugina ngushtohet dhe Vjosa shton shpejtësinë, duke rrjedhur drejt Grykës së Këlcyrës. Këtu takoj Zamon dhe Almën, sipërmarrës vendas që kanë ngritur një biznes raftingu, duke shfrytëzuar rrymat e ndryshueshme të Vjosës.
”Vjosa është tejet e rëndësishme për banorët e zonës. Potenciali i saj turistik krijon mundësi për shumë familje. Rreth 400 familje përfitojnë të ardhura nga aktivitete si raftingu dhe kajaku në Vjosë”, thotë Zamoja.
Vjosën nuk mund ta kontrollosh, pasi duhet të dish të lexosh rrymën dhe të përshtatesh me natyrën e saj të lirë. Sa më gjatë të udhëtosh përgjatë Vjosës, aq më shumë vëren se e njëjta mjeshtëri përshkon të gjithë luginën – njohuri dhe tradita të trashëguara ndër breza, me një artizanat që e ka rrënjën te trashëgimia, të krijuar nga duart e njerëzve me saktësi dhe përkushtim.
Pas disa kthesave të tjera, Vjosa takon detin. Kam mbërritur në Lagunën e Nartës, në deltën e Vjosës. Këtu peizazhi është më i qetë, zona të lagështa dhe hapësira ujore, të formuara nga takimi i tokës me detin. Në lagunë takoj Jonin, një ekolog vendas që e njeh këtë vend në çdo detaj.
”Lumi Vjosa ndryshon gjatë rrjedhës së tij, duke sjellë sedimente dhe ato grumbullohen këtu dhe krijojnë gjithë këtë mjedis madhështor. Pjesa më e veçantë janë zogjtë. Këtu numërohen më shumë se 200 lloje shpendësh. Kur njerëzit vinin këtu, ata mund të shihnin mijëra flamingo që fluturonin mbi kokat e tyre”, thotë Joni.
Kur e fillova udhëtimin tim, po ndiqja rrjedhën e një lumi malor. Që atëherë, e kam parë të marrë forma të shumta, duke kaluar përmes grykave të thyer, fushave me rrjedha të ndërthurura dhe zonave të gjera ligatinore.
Kur je në rrugë, ti e ke kontrollin. Por, sapo zbret nga makina, peizazhi merr drejtimin – duke të kujtuar menjëherë se çfarë do të thotë vërtet “e egër”, thotë eksploruesi i ”National Geographic”, Nick St. Oegger./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.