Detajet/ SPAK goditi grupin kriminal të trafikimit të emigrantëve, ekzekutohen 7 masa sigurimi! Mes të arrestuarve dhe 2 pun
Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, janë caktuar dhe ekzekutuar masat e sigurimit personal për 7 persona, si dhe janë ushtruar 11 kontrolle në banesa dhe kontrolle personale të të dyshuarve.
Masat e sigurimit dhe të dyshuarit:
Gjykata ka caktuar masën “Arrest me burg” për shtetasit:
- K., i dyshuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
- H., i dyshuar për të njëjtat vepra penale.
- B., i dyshuar për të njëjtat vepra penale.
- Gj., i dyshuar për të njëjtat vepra penale.
- N., punonjës policie, i dyshuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.
- T., punonjës policie, i dyshuar po ashtu për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.
Ndërsa masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është caktuar për:
- B., e dyshuar për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Sipas hetimit të nisur mbi bazën e referimit nga Departamenti i Policisë Kriminale, emigrantët e paligjshëm hyjnë nga Greqia përmes kufirit të gjelbër në qarqet e Korçës dhe Gjirokastrës. Grupet e emigrantëve përbëheshin nga 3 deri në 50 persona dhe drejtoheshin nga një shoqërues.
Pasi priteshin në jug, ata transportoheshin drejt veriut të vendit, në qarkun e Shkodrës (kryesisht në zonën e Hanit të Hotit dhe Vukpalajt), me qëllim kalimin drejt Malit të Zi kundrejt pagesave monetare.
Episodet e dokumentuara nga hetimi:
1 Maj 2024: Transportimi i 3 shtetasve të huaj nga Mëzezi (Tiranë) drejt Hanit të Hotit.
13 – 14 Maj 2024: Transportimi i 21 emigrantëve nga Gjirokastra (fshati Mashkullorë) drejt Vukpalajt në Malësinë e Madhe.
19 – 21 Qershor 2024: Transportimi i 11 emigrantëve nga fshati Dardhë i Korçës drejt Hanit të Hotit.
28 Qershor 2024: Transportimi i 17 shtetasve të huaj nga Dardha (Korçë) drejt Vukpalajt.
7 Korrik 2024: Tentativë për transportin e 4 emigrantëve nga Korça, ku shoferi u arrestua në flagrancë nga Policia e Korçës dhe Maliqit.
8 – 9 Korrik 2024: Transportimi i 12 emigrantëve nga Jorgucati (Gjirokastër) drejt Malësisë së Madhe. Në këtë episod janë përfshirë dy punonjësit e Policisë Kufitare Shkodër, të cilët lehtësuan kalimin e tyre drejt Malit të Zi.
23 – 24 Korrik 2024: Transportimi i 11 emigrantëve nga Bilishti drejt Tiranës e më pas në Shkodër. Pasi kaluan në Malin e Zi, emigrantët u morën peng nga 5 persona me origjinë nga Lindja e Mesme. Në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, u bë e mundur lirimi i pengjeve dhe arrestimi i tre prej pengmarrësve.
SPAK njofton se hetimet po vijojnë me intensitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.