Dhjetë vjet muzeu “Marubi”, 80 për qind e fondit është konservuar dhe në 2025 arkivi u regjistrua në regjistrin…
Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në qytetin e Shkodrës, që ka dhe një nga koleksionet më të mëdha dhe të rëndësishme të fotografisë në Ballkan më 9 maj shënoi 10-vjetorin e hapjes së tij. Ky muze që është një nga institucionet më të rëndësishme muzeore në vendin tonë, dhjetëvjetori i hapjes së tij e gjen me 80 për qind të fondit të tij të konservuar, ndërsa një moment i rëndësishëm ishte një vit më parë, kur arkivi i tij u regjistrua në “Memory of the World” të UNESCO-s.
Më 9 maj, në Ditën e Europës, dhjetë vjet më parë hapi dyert një institucion, ku fotografia do të vazhdonte të jetonte si kujtesë, dëshmi historike dhe formë reflektimi mbi shoqërinë. Muzeu shprehet se kjo datë përkonte dhe me ditëlindjen e Gegë Marubit, fotografit të fundit të Dinastisë Marubi.
“Në Ditën e Europës, një dekadë më parë, hapi dyert një institucion që nuk u mendua vetëm si hapësirë ruajtjeje e imazhit, por si një vend ku fotografia do të vazhdonte të jetonte si kujtesë, dëshmi historike dhe formë reflektimi mbi shoqërinë. Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Gegë Marubit, fotografit të fundit të Dinastisë Marubi, falë të cilit u shpëtuan dhe u ruajtën përjetësisht koleksionet e fotografëve të Shkodrës, themeli i arealit të fotografisë shqiptare”, thuhet në një material të ndarë nga ky muze për këtë dhjetëvjetor të hapjes së tij.
80 për qind e fondit të muzeut e konservuar
Përgjatë këtyre viteve që nga hapja e tij, muzeu “Marubi” në Shkodër ka ndërtuar një marrëdhënie të re mes fotografisë dhe publikut, duke e bërë artin fotografik më të afërt dhe më të kuptueshëm. Paralelisht, muzeu ka përparuar në ruajtjen dhe konservimin e arkivit, duke garantuar që kjo kujtesë vizuale të ruhet për brezat e ardhshëm. Në një material të muzeut “Marubi” bëhet me dije se arkiva sot i afrohet 542.823 fotografive.
“Në këto dhjetë vite, muzeu “Marubi” është shndërruar në një hapësirë dialogu ndërmjet historisë dhe së tashmes, ndërmjet arkivit dhe interpretimit bashkëkohor. Përmes rreth 40 ekspozitave, mbi 60 bisedave, konferencave e tureve, si dhe afro 200 punëtorive dhe masterklasave të edukimit, muzeu ka ndërtuar një marrëdhënie të re me fotografinë dhe publikun.
Paralelisht me aktivitetin publik, puna mbi arkivin ka qenë një nga dimensionet më të rëndësishme të institucionit. Nëse para dhjetë vitesh arkiva numëronte rreth 493.823 negativë, sot ajo i afrohet 542.823 fotografive, ndërsa rreth 80 për qind e fondit është konservuar, duke garantuar ruajtjen e kësaj kujtese vizuale për brezat që vijnë”, shprehet muzeu.
Arkivi i Marubëve pjesë e regjistrit ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s
Me 9 maj 2016, me koleksionet e fototekës “Marubi” u inaugurua muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”. Por në vetëm një dekadë, muzeu “Marubi” arriti të afirmohej edhe ndërkombëtarisht: në vitin 2017 u përzgjodh në listën e ngushtë për European Museum of the Year Award, ndërsa në vitin 2025 arkivi i tij u regjistrua në regjistrin ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s.
Muzeu bën me dije se në vijim të këtij vizioni për pasurimin dhe riaktivizimin e arkivës, do ta shënojë këtë dekadë me një ekspozitë kushtuar fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, duke e sjellë për herë të parë në Shkodër koleksionin e tij origjinal nga New York-u.
“Dhjetë vite më pas, muzeu “Marubi” mbetet jo vetëm një institucion i kujtesës, por një vend ku arkivi vazhdon të dialogojë me kohën tonë”, thuhet më tej në materialin e këtij muzeu në dhjetëvjetor. Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” nisi vite më parë procedurat për t’u bërë pjesë e UNESCO-s.
Pas një pune 2-vjeçare në mars në vitin 2021 u bë me dije se dosja “Marubi” tashmë ishte gati dhe do të paraqitej për kandidim pranë UNESCO-s, në programin “Memory of the Worls Register”. Ndërsa në prill 2025, arkiva e studios së parë fotografike shqiptare të Pietro dhe Kel Marubit u shpall zyrtarisht pjesë e regjistrit ndërkombëtar “Memory of the World” të UNESCO-s.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.