Dinamo e Dajës eksperte e ndeshjeve teke, 8 gola të shënuar në 3 finale ndaj Egnatias
Tri finale të luajtura brenda një viti, 8 gola të shënuar dhe 3 trofe të fituar. Dinamo e trajnerit Ilir Daja është një eksperte e ndeshjeve teke. Numrat flasin qartë dhe marrin edhe më shumë vlerë, po të kemi parasysh faktin se në të tria këto finale “Nëndetësja” ka mundur Egnatian kampione në fuqi, skuadrën më të mirë të sezoneve të fundit.
Në maj të vitit të kaluar blutë e kryeqytetit triumfonin në “Elbasan Arena” pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesat kishin përfunduar me rezultatin 2-2. Dy golat u shënuan nga Itodo Mandela, ndërsa portieri Teqja ishte vendimtar te penalltitë.
Në dhjetor të vitit të kaluar Dinamo fitonte 3-1 ndaj Egnatias në “Air Albania” dhe ngrinte lart trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Bregu, Nani dhe Qefalia përmbysnin rrogozhinasit pas një ndeshjeje spektakolare nga ana e kryeqytetasve.
Dhe tashmë një tjetër finale e fituar, ajo e Kupës së Shqipërisë, po ndaj Egnatias, po në “Air Albania”. Edhe këtë herë Dinamo shënoi 3 gola, me autorë Malomo, Bregu dhe Mustafa. Në fund meritoi të festojë, edhe pse në fund vuajti pak.
Janë 8 gola të shënuar në këto 3 finale dhe nuk janë pak. Blutë kanë vërtet një skuadër të fortë dhe nëse do të kishin shmangur atë “black out” gjatë fazës së tretë të kampionatit, sot me siguri do të ishin pretendentë kryesorë edhe për titullin kampion në Abissnet Superiore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.