Dita e zgjedhjeve në Bërvenicë: 16.256 qytetarë me të drejtë vote zgjedhin kryetarin e ri
Vendvotimet u hapën në orën 7:00 dhe votimi zgjat deri në 19:00 — në garë gjashtë kandidatë, dje votuan 85 të sëmurë dhe të pafuqishëm
Banorët e Komunës së Bërvenicës sot votojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale për kryetar komune. Siç njofton Makfax, vendvotimet u hapën në orën 7:00 dhe votimi do të zgjasë deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore janë regjistruar 16.256 qytetarë me të drejtë vote nga dhjetë vendbanimet e komunës.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi kryetari i deritanishëm Jovica Ilievski ndërroi jetë më 23 qershor të këtij viti, në moshën 58-vjeçare, siç raporton Fokus. Deri në zgjedhje, detyrën e kryetarit e ushtroi Robert Miloseski.
Për postin e kryetarit garojnë gjashtë kandidatë: Stojanço Radiçeski nga koalicioni “Maqedonia Jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga SDSM, Jakup Huseini nga koalicioni VLEN, Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim, si dhe kandidatët e pavarur Dushan Bogdanovski dhe Arife Idrizi, siç njofton Fokus.
Një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga 88 persona të regjistruar votuan 85, ndërsa nga nëntë personat që janë në vuajtje të dënimit me burg ose në paraburgim, votuan shtatë, transmeton Fokus.
Nëse asnjë kandidat nuk e merr shumicën e nevojshme, raundi i dytë i zgjedhjeve është paraparë për 1 nëntor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.