Dorëshkrimet origjinale të Dritëro Agollit rikthehen në shtëpinë ku u shkruan
Shtëpia Studio Agolli organizoi një mbrëmje kulturore në përkujtim të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij. Aktiviteti u zhvillua në shtëpinë ku shkrimtari shkroi një pjesë të madhe të veprave të tij dhe përkoi me dyvjetorin e hapjes së muzeut për publikun.
Për herë të parë, në këtë hapësirë u ekspozuan dorëshkrime origjinale të disa prej veprave më të njohura të Dritëro Agollit, mes tyre romanet “Trëndafili në gotë”, “Dështaku” dhe “Arka e djallit”, si dhe dorëshkrimi i veprës “Poemë për babanë dhe për vete”. Vizitorët patën mundësinë të shihnin gjithashtu blloqe me poezi, dorëshkrime tregimesh e përkthimesh, si dhe botimet e para të veprave të shkrimtarit.
Drejtoresha e Shtëpisë Studio Agolli, Anisa Ymeri, tha për ATSH-në se, rikthimi i dorëshkrimeve në shtëpinë ku u krijuan, ka peshë dhe vlerë të madhe për muzeun. “Në këtë mënyrë, vizitorët dhe lexuesit mund të kenë kontakt më të thellë me veprën por shohin edhe procesin krijues”, tha Anisa Ymeri, duke tërhequr vëmendjen ndaj një pjese të veçantë të ekspozitës siç ishte një kopje e dramës së ndaluar “Fytyra e dytë”, e vitit 1968, e cila ishte parashikuar të vihej në skenë në Teatrin Popullor nga regjisori Piro Mani.
Krahas dorëshkrimeve, u ekspozua edhe koleksioni personal i stilografëve, stilolapsave dhe shisheve të bojës së shkrimit, të cilat Dritëro Agolli i kishte mbledhur gjatë jetës së tij.
Në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u prezantuan gjithashtu botimet e para të veprave të autorit, duke sjellë për publikun një dëshmi të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.
Aktiviteti u bë i mundur falë bashkëpunimit me Elonën, vajzën e shkrimtarit, dhe Fondacionin Kulturor Dritëro Agolli, të cilët kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së tij. Mbrëmja u shoqërua me tinguj kitare, kujtime dhe biseda mes miqsh e lexuesish të veprës së Dritëroit, duke e kthyer shtëpinë e tij në një hapësirë takimi për të gjithë ata që vijojnë ta duan dhe ta vlerësojnë shkrimtarin, duke dëshmuar se vepra e tij mbetet e gjallë edhe sot.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.