DUBLIN – Rutte: Turqia, aleate kyçe e NATO-s dhe me një nga ushtritë më të mëdha në Evropë
– Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi rolin e Turqisë në Aleancën Atlantike, duke e cilësuar atë një aleate kyçe dhe një nga vendet me ushtritë dhe industrinë më të mëdha të mbrojtjes në Evropë, raportoi “Anadolu”.
Gjatë një prononcimi për mediet në samitn e Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në Dublin të Irlandës, Rutte iu përgjigj një pyetjeje mbi rolin e Turqisë në NATO, në kushtet e tensioneve në Lindjen e Mesme.
“Turqia është qartësisht një nga aleatët kyç të NATO-s. Ajo është pjesë e Aleancës pothuajse që prej fillimit. Ka një nga ushtritë më të mëdha në Evropë dhe një nga bazat më të mëdha të industrisë së mbrojtjes në kontinent. Turqia është një aleate kyçe në çdo aspekt dhe gëzon respekt të madh nga 31 aleatët e tjerë”, deklaroi Rutte.
Duke folur për garancitë e sigurisë për Ukrainën, në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje ose armëpushimi me Rusinë, kreu i NATO-s tha se Turqia dhe vende të tjera kyçe evropiane parashikohet të kenë rol në këto mekanizma.
Ai kujtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kishin arritur në janar, gjatë një takimi në Paris, në përfundime të përbashkëta mbi mënyrën e organizimit të këtyre garancive, duke parashikuar gjithashtu një mbështetje të qartë amerikane.
“E gjithë kjo është në thelb e përfunduar dhe gati. Por tani, natyrisht, na nevojitet një marrëveshje paqeje ose të paktën një armëpushim. Për këtë po punojnë intensivisht të gjithë”, theksoi Rutte.
Në të njëjtin prononcim, sekretari i përgjithshëm i NATO-s u ndal edhe te sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, duke përmendur kërcënimet nga Rusia dhe bashkëpunimin e saj me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut.
Rutte bëri të ditur se vendet evropiane anëtare të NATO-s dhe Kanadaja, kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen me 250 miliardë dollarë shtesë gjatë viteve 2025 dhe 2026, por nënvizoi se nevojiten investime të tjera.
Ai kërkoi gjithashtu rritjen e prodhimit të industrisë ushtarake dhe furnizimin e Ukrainës me pajisjet e nevojshme, për të përballuar luftën dhe për të pasur një pozicion sa më të fortë në negociatat me Moskën.
Rutte paralajmëroi edhe për rrezikun e sulmeve hibride në Evropë, përfshirë sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit, duke theksuar se përballimi i tyre kërkon përfshirjen jo vetëm të qeverive, por edhe të industrisë dhe të gjithë shoqërisë.
Ai shtoi se dërgesat e pajisjeve ushtarake amerikane drejt Ukrainës, përmes programit PURL, po vijojnë, përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.