Studimi i Parlamentit Europian, Shqipëria mund të mbyllë negociatat në 2027, anëtarësimi në BE shihet si objektiv realist
Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj si një nga vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Një studim analitik të Parlamentit Europian, dhe i publikuar në Komitetin e Punëve të Jashtme vlerëson se objektivi i vendit për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është ambicioz, por i arritshëm.
Dokumenti e rendit Shqipërinë, së bashku me Malin e Zi, në krye të vendeve kandidate për anëtarësim, duke i konsideruar të dyja si historitë më të suksesshme të procesit të zgjerimit në rajon.
Sipas ekspertëve, përparimi i tyre mund të shërbejë si model edhe për vendet e tjera aspirante për t’u bashkuar me familjen europiane.
Studimi vëren se pas hapjes së negociatave në vitin 2022, Shqipëria ka shënuar një nga ritmet më të shpejta të avancimit në procesin e integrimit.
Përshpejtimi i reformave dhe progresi në përmbushjen e detyrimeve ndaj Bashkimit Europian kanë krijuar kushtet që mbyllja e negociatave brenda vitit 2027 të konsiderohet tashmë një objektiv real.
Një nga elementët që vlerësohet më shumë nga ekspertët është reforma në drejtësi. Dokumenti thekson se vettingu, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe funksionimi i SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shënuar progres të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Po ashtu, Shqipëria evidentohet për ritmin e lartë të përafrimit të legjislacionit me acquis communautaire, duke përmbushur në mënyrë të vazhdueshme kërkesat teknike të procesit të anëtarësimit.
Një vlerësim pozitiv merr edhe politika e jashtme shqiptare, e cila vijon të jetë plotësisht në linjë me qëndrimet e Bashkimit Europian në çështjet ndërkombëtare dhe të sigurisë.
Sipas studimit, vendi ka bërë hapa të rëndësishëm edhe në përfitimin nga mekanizmat europianë të integrimit ekonomik. Pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), bashkëpunimi rajonal dhe fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor konsiderohen instrumente që po afrojnë gradualisht ekonominë shqiptare me tregun europian.
Në analizë theksohet se Shqipëria ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe po vijon të avancojë me ritme të qëndrueshme në kapitujt negociues.
Përmbushja e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret” dhe mbyllja provizore e kapitujve të parë negociues konsiderohen tregues konkretë të këtij progresi.
Sa i përket perspektivës së anëtarësimit, shumica e ekspertëve të konsultuar në studim vlerësojnë se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian në periudhën 2029-2030, pas përfundimit të negociatave dhe procedurave të ratifikimit nga vendet anëtare.
Studimi nënvizon se procesi i zgjerimit po mbështetet gjithnjë e më shumë nga institucionet europiane. Në këtë kuadër përmendet edhe strategjia e re e zgjerimit e mbështetur nga vendet kryesore të BE-së, e cila synon ta bëjë procesin më efikas dhe më pak të ekspozuar ndaj pengesave politike.
Pavarësisht sfidave që lidhen me modernizimin e administratës publike, forcimin e institucioneve dhe thellimin e reformave, mesazhi kryesor i dokumentit mbetet pozitiv: Shqipëria ndodhet në fazën më të avancuar të procesit të integrimit europian që nga nisja e tij dhe ka një perspektivë të besueshme për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian brenda dekadës së ardhshme.
Për Parlamentin Europian, progresi i arritur deri tani dëshmon se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe se objektivi për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027 mbetet një synim i realizueshëm, nëse ritmi aktual i reformave vijon të ruhet.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.