E quajnë “policja e lagjes”, macja që ka fituar zemrat e miliona njerëzve
Një mace shtatëvjeçare me emrin ‘Nimis’ është kthyer në një nga personazhet më të njohura të rrjeteve sociale në Amsterdam, duke tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve dhe turistëve nga e gjithë bota.
E veshur me një jelek të verdhë shpëtimi, ku shkruhet “Police”, macja që jeton në një shtëpi-varkë në kryeqytetin holandez është pagëzuar nga banorët e lagjes si “policja e lagjes”.
Popullariteti i saj nisi krejt rastësisht, pasi pronarja filloi të publikonte video të maceve për dy mbesat e saj që jetojnë larg. Njëra prej videove arriti plot 4,5 milionë shikime, duke bërë që llogaria e saj të ndiqej nga mijëra njerëz.
Pronarja tregon se jo të gjithë e kuptojnë se Nimis nuk është një police e vërtetë, por një mace që ka fituar këtë nofkë falë pamjes së saj karakteristike.
Krahas famës në rrjetet sociale, Nimis dhe motra e saj dhjetëmuajshe, ‘Boefi’, duket se kanë edhe një mision tjetër: t’u dhurojnë gëzim njerëzve.
Sipas Lydia Faber, shumë vizitorë vijnë për t’i takuar në momente të vështira dhe i falënderojnë, pasi videot e maceve i ndihmojnë të harrojnë për pak çaste shqetësimet e tyre.
“Për mua, gjëja më e bukur është që macet u japin ngushëllim njerëzve, sepse në botë tashmë ka shumë dhimbje. Këto mace u sjellin një buzëqeshje njerëzve. Këtu vijnë shumë njerëz. Disa prej tyre vijnë duke qarë dhe duan të më përqafojnë. Më falënderojnë që e hapa këtë llogari. Thonë se falë maceve ndihen shumë të lumtur dhe se, qoftë edhe për pak kohë, arrijnë të harrojnë dhimbjen dhe trishtimin e tyre. Mendoj se kjo është pjesa më e bukur e gjithë kësaj”, tha ajo.
Ndërkohë, aventurat e “maces police” pritet të kthehen edhe në një libër për fëmijë, ku do të tregohen historitë e saj plot humor me fqinjët dhe banorët e lagjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.