Duhani në Dumre, tradita që po shuhet mes mungesës së ujit dhe punëtorëve
Dikur ishte një nga kulturat që mbante familje të tëra me punë dhe të ardhura. Sot, duhani është një traditë që po shuhet, por në Dumre të Belshit disa fermerë ende i besojnë kësaj kulture.
Mes temperaturave të larta, punës së gjatë dhe mungesës së ujit, ata mbjellin, vadisin dhe mbledhin duhanin, ndërsa në kohën e vjeljes përballen me një tjetër problem, mungojnë duart që të punojnë tokën.
“Me 6 mijë lekë kg. Shumë. Pse? Punën e do në mëngjes herët, do terezinë e vet, po s’pati vaditje nuk ecën, kështu që do kushte. Po s’pati ujë, e pengon shumë. Do vaditje. Tokat janë këtu, s’kemi as ujë, asgjë. Me mund të madh. Po nga ana e shtetit, a ka subvencione? Asgjë, nuk e njohim shtetin. As për asgjë”, është shprehur një fermere.
Një kilogram duhan shitet rreth 600 lekë të reja. Për fermerët, çmimi mund të duket i leverdishëm, por pas tij fshihet një vit i tërë pune dhe shpenzimesh, nga mbjellja deri te vjelja dhe përpunimi.
“Ky ka një vit punë, 364. Ka shumë punë. Sa shitet kg? 6 mijë lekë. A do të bëj më shumë se 10 kuintal? Unë, ja, 15. 8-9 milionë. Jemi shumë të pakënaqur. Mbuloni vetë apo merrni dhe punëtorë? Vetëm”, është shprehur një fermer.
Në Dumre prodhohen rreth 50 tonë duhan në vit, pjesa më e madhe e të cilit largohet drejt tregjeve evropiane. Megjithatë, fermerët thonë se vështirësitë nisin që në tokë, ku mungesa e ujit për vaditje dhe e punëtorëve e rrit kostot e prodhimit.
Pavarësisht tregut që siguron jashtë vendit, kultivuesit thonë se pa investime në vaditje dhe pa mbështetje për fuqinë punëtore, kultivimi i duhanit në Dumre rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i një tradite që dikur mbante familje të tëra.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.