Dy fytyrat e Serbisë
Një Serbi që vazhdon të glorifikojë Ratko Mlladiqin dhe të mbështesë politikën e Aleksandar Vuçiqit nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, shkruan gazetari dhe redaktori Andrew Retman në një analizë të publikuar nga EUobserver.
Retman e vendos funeralin e Mlladiqit në Beograd në qendër të një kritike më të gjerë ndaj politikës së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke argumentuar se për më shumë se një dekadë Brukseli ka investuar politikisht dhe financiarisht në afrimin e Beogradit me BE-në, pa arritur ta ndryshojë kursin politik të vendit.
Analiza nis me një deklaratë të Albin Kurtit nga viti 2011, kur ai e përshkruante politikën e atëhershme të BE-së ndaj Serbisë si përpjekje për ta shkëputur një “oktapod të vogël” nga “gjiganti” rus.
Sipas Retmanit, që nga marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2012, Serbia ka përfituar rreth 1.5 miliardë euro në vit nga Bashkimi Evropian, ka hapur 22 nga 35 kapitujt e negociatave, ndërsa Vuçiqi është pritur në më shumë se dhjetë samite evropiane. Në të njëjtën kohë, qytetarëve serbë u është mundësuar udhëtimi pa viza në pjesën më të madhe të Evropës.
Por, funerali i Mlladiqit në Beograd tregoi një tjetër fytyrë të Serbisë.
“Funerali kuazi-shtetëror në Serbi dhe shpërthimi masiv i zisë në Beograd të hënën për Ratko Mlladiqin, gjeneralin që kreu gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, zbuluan se nacionalizmi grotesk dhe regresiv, krejtësisht në kundërshtim me vlerat e BE-së, ende fshihet nën sipërfaqen e shoqërisë serbe”, shkruan Retman.
“Nuk ka vend në Evropë për glorifikimin e kriminelëve të luftës”
Retman vëren se Vuçiqi nuk mori pjesë personalisht në funeral, por aty ishin djali i tij, ministra të qeverisë serbe, lideri i Republika Srpskas, Milorad Dodik, ambasadori rus në Beograd dhe mijëra qytetarë.
Ceremonia u drejtua nga patriarku serb Porfirije.
Sipas analizës, ky zhvillim e ka thelluar debatin në BE për mënyrën se si duhet trajtuar Serbia, veçanërisht në një kohë kur procesi i saj i integrimit evropian është ngadalësuar.
Retman kujton se BE-ja ka ndaluar hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Serbinë që nga viti 2021, ndërsa këtë vit ka mbajtur 1.5 miliardë euro fonde për shkak të shqetësimeve lidhur me regresin demokratik nën qeverisjen e Vuçiqit.
Reagimet e zyrtarëve evropianë pas funeralit kanë qenë të ashpra.
Eurodeputeti austriak Helmut Brandstetter, sipas Retmanit, ka kërkuar që të mos ketë më negociata për anëtarësim dhe as financim evropian nëse Beogradi vazhdon të admirojë kriminelët e luftës dhe të ushtrojë presion ndaj protestuesve.
Ndërkaq, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se “nuk ka vend në Evropë për glorifikimin e kriminelëve të luftës”.
Dy fytyra të Serbisë
Një pjesë e rëndësishme e analizës i kushtohet protestave masive të studentëve në Serbi, të cilat Retman i paraqet si dëshmi të ekzistencës së një force tjetër brenda shoqërisë serbe.
Sipas tij, protestat kanë bashkuar të rinj e të moshuar, qytetarë nga qytetet dhe zonat rurale, si dhe pjesëtarë të klasës së mesme dhe punëtore.
Kjo, shkruan ai, përfaqëson “anën progresive” të Serbisë.
Në kontrast me këtë qëndron mobilizimi rreth funeralit të Mlladiqit, të cilin autori e sheh si shfaqje të një nacionalizmi të rrënjosur thellë.
“Funerali i Mlladiqit tregoi një fytyrë krejtësisht të ndryshme të vendit”, shkruan Retman, duke folur për një “disonancë të thellë kulturore dhe politike” në Serbi, gati katër dekada pas fillimit të luftërave jugosllave.
Autori përmend edhe akuzat se telefonat e liderëve studentorë janë shënjestruar me spyware Pegasus, si dhe dhunën policore ndaj protestuesve.
Paralajmërimi për Bosnjën dhe Ballkanin
Retman e zgjeron analizën edhe përtej Serbisë, duke paralajmëruar se dështimi i politikës evropiane ndaj Beogradit mund të ketë pasoja për stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, një prej skenarëve shqetësues do të ishte që Vuçiqi dhe lideri i Republika Srpskas, Milorad Dodik, të kontribuonin në një proces drejt pavarësisë së Republika Srpskas.
Një zhvillim i tillë, argumenton autori, do të mund të çonte drejt destabilizimit të Bosnjë e Hercegovinës dhe të nxiste territore të tjera etnike në rajon që të sfidonin marrëveshjet e vendosura pas luftërave.
Retman argumenton se një destabilizim i tillë do t’i shërbente edhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke krijuar një tjetër burim presioni ndaj Bashkimit Evropian në kohën kur Evropa po përballet me luftën në Ukrainë.
Retman: Vuçiqi nuk është më partneri që paraqitet në samitet e BE-së
Në pjesën më të ashpër të analizës, Retman merret drejtpërdrejt me Vuçiqin dhe të kaluarën e tij politike gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ai argumenton se përvoja politike e Vuçiqit është në kontrast të madh me imazhin e tij si lider proevropian dhe mysafir i rregullt në samitet e Bashkimit Evropian.
Sipas Retmanit, qeverisja e Vuçiqit është bërë gjithnjë e më populiste dhe autoritare, duke e krahasuar atë me modelet politike të Viktor Orbanit dhe Jarosław Kaczyńskit.
Autori është kritik edhe ndaj paralajmërimit të Vuçiqit se mund të kandidojë për postin e kryeministrit pas përfundimit të mandatit presidencial, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të anashkaluar kufizimin kushtetues të mandateve presidenciale dhe duke e krahasuar me manovrat e Vladimir Putinit në Rusi.
Në fund të analizës, Retman sjell edhe të dhëna nga sondazhe të ndryshme mbi raportin e forcave politike në Serbi. Sipas shifrave të cituara prej tij, disa sondazhe tregojnë rritjen e mbështetjes për lëvizjen studentore, ndërsa të tjera ende e nxjerrin SNS-në e Vuçiqit si forcën kryesore politike.
Për Retmanin, megjithatë, çështja shkon përtej rezultateve të një sondazhi apo një zgjedhjeje.
Nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo duhet të përballet me të kaluarën e saj, të refuzojë glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe të ndryshojë kursin politik.
Përndryshe, argumenton ai, kontradikta mes vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe Serbisë së drejtuar nga Vuçiqi mbetet shumë e madhe për një anëtarësim të saj në Union.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.