KINEMA – Fituesi i çmimit “Emmy”, Tom Skerritt, ndërron jetë në moshën 93-vjeçare
– Aktori amerikan Tom Skerritt, fitues i çmimit “Emmy” dhe i njohur për rolet e tij në filmat e suksesshëm “Top Gun”, “Alien”, “Steel Magnolias” dhe serialin televiziv “Picket Fences”, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare, raportoi “Hello”.
Skerritt ndërroi jetë më 21 tetor 2026, për shkaqe natyrore, njoftoi familja e tij në një deklaratë për mediet amerikane.
“Familja jonë është thellësisht e pikëlluar të njoftojë se Tom Skerritt ndërroi jetë më 21 tetor 2026, për shkaqe natyrore”, thuhej në deklaratë.
Familjarët e kujtuan atë si një bashkëshort të dashur për Julie, baba të pesë fëmijëve, gjysh të pesë nipërve dhe mbesave dhe stërgjysh të dy fëmijëve.
“Ndërsa bota e njihte Tomin për karrierën e tij të jashtëzakonshme në aktrim, ne e njihnim për humorin, kureshtjen, mençurinë, bujarinë dhe dashurinë që sillte në jetën tonë”, thuhej më tej në mesazhin e familjes.
I lindur më 25 gusht 1933 në Detroit, Skerritt shërbeu për katër vjet në Forcat Ajrore të SHBA-së, përpara se t’i përkushtohej aktrimit.
Karrierën në film e nisi në vitin 1962, me filmin “War Hunt”, ndërsa u bë i njohur për publikun më të gjerë pas roleve në filma si “MAS*H” (1970), “Alien” (1979) dhe “Top Gun” (1986).
Në filmin “Alien”, ai interpretoi kapitenin Dallas, ndërsa në “Top Gun” luajti komandantin Mike “Viper” Metcalf, instruktorin e fluturimit të personazhit të Tom Cruise.
Një tjetër rol i rëndësishëm ishte ai i sherifit Jimmy Brock në serialin televiziv “Picket Fences”, për të cilin fitoi çmimin “Emmy” në vitin 1993, në kategorinë e aktorit më të mirë kryesor në një serial dramatik.
Gjatë karrierës së tij mbi 60-vjeçare, Skerritt interpretoi në më shumë se 170 prodhime filmike dhe televizive.
Ndër filmat e tjerë ku ai luajti janë “Steel Magnolias” (1989), “A River Runs Through It” (1992) dhe “Contact” (1997).
Përveç aktrimit, ai u angazhua edhe në mbështetjen e veteranëve amerikanë dhe në edukimin e brezave të rinj të kineastëve.
Ai ishte bashkëthemelues i projektit “Red Badge”, i cili ndihmon veteranët të përballojnë vështirësitë psikologjike përmes shkrimit dhe rrëfimit të historive personale. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.