Ekstradohet nga Spanja 49-vjeçari i akuzuar për trafikimin e 485 kg kokainë në Fier (EMRI)
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë shtetasi Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni, i dyshuar si një nga financuesit dhe negociatorët e trafikut të 485 kilogramëve kokainë, të zbuluar në vitin 2022 në Frakull të Madhe, Fier.
Policia e Shtetit njofton se ekstradimi u realizua pas koordinimit operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, shtetasi K. M. dyshohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka luajtur rolin e një prej financuesve dhe negociatorëve për trafikimin e 485 kilogramëve kokainë.
Sasia e drogës u sekuestrua nga Policia në vitin 2022, në fshatin Frakull e Madhe të Fierit, ku kokaina ishte fshehur në thasë me pleh kimik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.