Emini: Kosova humbi një vit në krizë politike, tani po rrezikon edhe shansin evropian
Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, ka vlerësuar se Kosova po përballet me rrezikun e vazhdimit të krizës politike edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa paralajmëroi se vendi mund të humbasë një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian nëse institucionet nuk formohen shpejt.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se zgjedhjet nuk e kanë zgjidhur problemin politik, por vetëm e kanë zhvendosur atë në një fazë tjetër.
“Gjithmonë ekziston frika që do të vazhdojë kriza politike. Për mua, kriza politike nuk ka përfunduar më 7 qershor. Ajo vetëm i ka hapur rrugë një situate tjetër po aq të paqartë”, deklaroi Emini shkruan Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com
Sipas saj, Kosova është rikthyer pothuajse në të njëjtën pikë ku ndodhej para një viti, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk sollën zgjidhje për ngërçin institucional
“Ne jemi kthyer pothuajse te rezultatet e mëparshme. Praktikisht kemi humbur një vit për pothuajse asgjë të rëndësishme. Këto zgjedhje u organizuan më shumë për aritmetikë parlamentare sesa për të zgjidhur problemet reale”, u shpreh ajo.
Emini kritikoi klasën politike për mungesën e kompromisit, duke theksuar se sistemi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi nevojën për marrëveshje politike dhe jo për përjashtim të kundërshtarit.
“Problemi më i madh është se Kosova është ndërtuar si një sistem që funksionon përmes kompromisit. Ne e kemi degraduar diskutimin politik në një betejë ku secila palë synon ta eliminojë tjetrën, ndërkohë që Kushtetuta kërkon marrëveshje”, tha ajo.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Emini tha se Kosova po rrezikon të humbasë fonde dhe mundësi politike të rëndësishme për shkak të mungesës së institucioneve funksionale dhe moszbatimit të reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.
Donika Emini, analiste politike dhe Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafit
“Kosova nuk po humb vetëm financiarisht. Ka humbje politike, sepse për vite me radhë ishte nën masa të BE-së dhe tani po humb mundësinë për të avancuar në raport me Brukselin. Është për të ardhur keq që një mundësi e tillë po shpërdorohet”, deklaroi ajo.
Emini theksoi se aktualisht ekziston një momentum i favorshëm në Bruksel, me një Komision Evropian që po e trajton zgjerimin si prioritet, por sipas saj Kosova nuk po e shfrytëzon këtë mundësi.
“Për momentin ekziston një dritare e rëndësishme. Kosova ka mundur të shtyjë më fort kërkesën për statusin e vendit kandidat, por kjo kërkon lobim aktiv dhe angazhim diplomatik. Nuk mjafton të presësh lëvizje nga Brukseli”, tha Emini.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se Kosova duhet të lexojë më mirë zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht rritjen e forcave të djathta në Evropë, të cilat sipas saj mund të jenë më pak fleksibile ndaj Kosovës në të ardhmen.
“Mosleximi i situatës ndërkombëtare është tepër alarmues. Ne po fokusohemi në tensione të brendshme mes liderëve politikë, ndërkohë që po ndryshon krejt peizazhi politik në Evropë”, theksoi ajo.
Donika Emini- Analiste politikeFoto: Ridvan Slivova
Në fund, Emini vlerësoi se Kosova duhet të ndërtojë sa më shumë aleanca strategjike me vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke e vendosur sigurinë në qendër të politikës së saj të jashtme.
“Aleanca, aleanca dhe aleanca. Nëse nuk mund të ecim me ritmin që dëshirojmë drejt NATO-s apo BE-së, atëherë duhet të forcojmë sa më shumë partneritetet strategjike me vendet që mbështesin Kosovën”, përfundoi ajo./Telegrafi/.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.