Erdoğan letër Vuçiçit: Paqja dhe stabiliteti i Ballkanit me rëndësi jetike për Turqinë
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në letrën dërguar presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç theksoi falënderimet për mikpritjen gjatë vizitës së tij në Beograd në fillim të tetorit, se paqja dhe stabiliteti i Ballkanit janë të një rëndësie të madhe për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Me vëmendje po ndjekim hapat e guximshëm të cilat i merrni ju në vendet e rajonit. Turqia është gjithmonë e gatshme të kontribuojë në përpjekjet që synojnë mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit. Bashkëpunimi midis Turqisë dhe Serbisë, vendet kyçe në rajon, do të jetë baza më e fortë për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, theksoi Erdoğan.
Presidenti i Turqisë vlerësoi se procesi trilateral Turqi-Serbi-Bosnjë e Hercegovinë është mekanizëm i dobishëm dhe se marrëveshja, që është arritur gjatë vizitës së tij në Serbi për fillimin e përgatitjeve për Samitin që do të mbahet vitin e ardhshëm, është një hap i rëndësishëm për mbarë rajonin.
Erdoğan shprehu falënderim për bashkëpunimin në luftën e Turqisë kundër organizatës terroriste FETO.
Ai falënderoi për shkak të programit “të jashtëzakonshëm” gjatë vizitës në Beograd dhe Novi Pazar dhe “masave të jashtëzakonshme të sigurisë” gjatë vizitës.
Presidenti i Turqisë theksoi se veçanërisht është “i prekur nga pritja e përzemërt” në Sanxhak dhe se kjo vizitë paraqet “urë miqësie” mes Serbisë dhe Turqisë.
“Ne inkurajojmë personat e shquar të biznesit nga Turqia, të cilët së bashku me mua kanë vizituar Serbinë, për të investuar në Sanxhak. Jam i sigurt se ata kanë ndërmarrë hapa konkretë në këtë fushë, në takimet që ata zhvilluan me bashkëbiseduesit e tyre”, tha Erdoğan.
Ai vlerësoi se themelimi i Këshillit të Lartë për bashkëpunim do të jetë kornizë për vazhdimin e vizitës së ndërsjellë të nivelit të lartë.
Presidenti i Turqisë përsëriti se do të kishte kënaqësi të priste Vuçiçin në Turqi.