Fluturimi i Tahirit, ka prerë biletë për Rinas pas mesnate
Samir Tahiri, ish-ministri nën hetim që u largua të premten nga Shqipëria, kthehet sonte pas mesnate në Tiranë nga aeroporti i Vjenës në Austri.
Disa burime sugjeruan të premten se vizita mund të kishte karakter familjar dhe zoti Tahiri ndodhej në Gjermani pranë një të afërmi të tij të operuar. Por, të paktën sipas të dhënave të biletës që disponon Top Channel, ky i afërm i deputetit Tahiri kishte rezervuar një udhëtim vajtje-ardhje drejt Mynihut në fund tetorit-fillim nëntori. Burimet për Top Channel konfirmojnë se në këtë udhëtim të premten e datës 17 nëntor drejt Gjermanisë, deputeti Tahiri jo vetëm ka pasur për destinacion Hamburgun dhe jo Mynihun ku u operua familjari i tij, por ka qenë i shoqëruar nga një ish-vartës në Ministrinë e Brendshme.
Sot, Saimir Tahiri ka marrë rrugën e kthimit nga e njëjta linjë, duke u nisur nga Hamburgu rreth orës 17.30 dhe me mbërritje në Vjenë rreth orës 19.05. Pas gati katër orë pritje në tranzit, pritet që deputeti Tahiri të marrë avionin për Tiranë rreth orës 23.15, për t’u ulur pas mesnatës në orën 00.45 në aeroportin e Rinasit.
Të paktën këto janë detajet e biletës së tij të udhëtimit. Dalja e Saimir Tahirit nga Shqipëria, ndërkohë që Parlamenti kishte autorizuar bllokimin e lëvizjes së tij, hedh pikëpyetje mbi arsyet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që nuk kërkoi në gjykatë bllokimin e pasaportës.
Gjatë dëgjesës në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, prokurorët e Krimeve të Rënda u shprehën se i ndruheshin daljes jashtë shteti të Saimir Tahirit dhe prishjes së provave. Por më pas në Gjykatë, prokurorët nuk kërkuan bllokimin e pasaportës, duke e lënë të lirë deputetin të lëvizë sipas dëshirës.