FOKUS – Australia: Marrëdhënia me BE-në nuk ka qenë kurrë më e fortë, prioritet marrëveshja tregtare
– Marrëdhënia e Australisë me Bashkimin Evropian, nuk ka qenë kurrë më e fortë apo më e rëndësishme, deklaroi sot një zëdhënës i qeverisë australiane për “Euronews”, ndërsa Kanberra po përqendrohet në përfundimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE-në.
Deklarata vjen pasi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, sugjeroi se Australia dhe Zelanda e Re mund të ndjekin shembullin e Kanadasë dhe të bëhen anëtare të asociuara të BE-së.
Qeveria australiane nuk iu përgjigj drejtpërdrejt këtij propozimi, por theksoi se prioriteti i saj është marrëveshja tregtare me BE-në, e cila, sipas zëdhënësit, do t’a afrojë vendin edhe më shumë.
“Kjo është një marrëveshje me rëndësi historike dhe u jep fermerëve, eksportuesve, prodhuesve dhe bizneseve australiane, akses në 27 vendet e BE-së dhe 450 milionë konsumatorë”, tha zëdhënësi.
Ai shtoi se Australia është një vend i orientuar drejt tregtisë dhe se, në një periudhë pasigurie globale, forcimi i partneriteteve tregtare ka kuptim ekonomik.
Negociatat për marrëveshjen tregtare BE-Australi përfunduan në mars, por marrëveshja duhet ende të ratifikohet nga të dyja palët.
Procesi mund të përballet me kundërshtime nga fermerët, veçanërisht për kuotat e importit të produkteve bujqësore.
Marrëveshja parashikon, ndër të tjera, kuota vjetore për mishin australian të viçit prej 30,600 tonësh dhe për mishin e deles dhe qengjit prej 25,000 tonësh.
Fermerët evropianë kanë shprehur shqetësime se këto kuota i shtohen aksesit preferencial, që BE-ja u ka dhënë produkteve nga marrëveshje të tjera tregtare, ndërsa sektori australian i mishit të viçit, kishte kërkuar një kuotë rreth 50,000 tonë.
Edhe opozita australiane ka kundërshtuar marrëveshjen dhe ka kërkuar rinegocimin e saj.
Ndërkohë, kryeministri australian, Anthony Albanese pritet të takohet me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Komisioni Evropian ka deklaruar se takimi do të fokusohet në bashkëpunimin mes BE-së dhe Australisë, veçanërisht në fushën e tregtisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.