FOKUS – Dyshime për ndërhyrje ruse, 80 avionë mbetën pa sinjal GPS mbi Evropën Veriore
– Një ndërprerje e papritur dhe e njëkohshme e sistemeve të navigimit satelitor ka prekur rreth 80 avionë që fluturonin mbi Evropën Veriore më 9 nëntor, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë e trafikut ajror dhe ngritur dyshime për një ndërhyrje të mundshme të jashtme, shkruan il messaggero.ir.
Sipas të dhënave të publikuara nga portali i specializuar GPSWise dhe të analizuara më pas nga platforma e monitorimit të trafikut ajror Hexbird, për 19 minuta rresht, nga ora 18:08 deri në 18:27, me orën lokale italiane, dhjetëra avionë civilë dhe privatë humbën plotësisht sinjalin GPS.
Fenomeni u regjistrua në një hapësirë të gjerë ajrore, që përfshinte qiellin mbi Holandë, pjesën jugore të Detit të Veriut, Anglinë lindore dhe Gjermaninë veriperëndimore.
Alarmi u bë fillimisht publik nga GPSWise dhe më pas u shpërnda në rrjetet sociale nga eksperti i gjurmimit të avionëve, i njohur me emrin “auonsson”, në platformën Bluesky.
Analiza e të dhënave zbuloi një anomali të pazakontë në sinjalet e navigimit dhe monitorimit ajror, e cila, sipas ekspertëve të cituar në raportim, mund të jetë shkaktuar nga një burim i jashtëm ndërhyrjeje
Një nga elementet që e bën ngjarjen veçanërisht shqetësuese është fakti se ndërprerja ndodhi njëkohësisht në një zonë shumë të gjerë dhe preku dhjetëra mjete fluturuese.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar mbi autorësinë apo burimin e ndërhyrjes, ndërsa episodi rikthen në vëmendje rrezikun që paraqesin ndërhyrjet në sistemet GPS për sigurinë e aviacionit civil.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.