Microsoft: shërbimet për konsumatorët janë rikuperuar plotësisht, ato për bizneset ende nën monitorim
Gjiganti teknologjik njoftoi se shërbimet e produkteve për konsumatorë u rikthyen plotësisht të premten në orën 16:10 UTC, ndërsa për shërbimet Microsoft 365 për bizneset po monitorohet radha e email-eve të grumbulluara gjatë ndërprerjes globale.
Sipas raportimit të Reuters, Microsoft njoftoi se shërbimet e produkteve të tij për konsumatorët janë rikuperuar plotësisht, duke shënuar fundin e fazës më të rëndë të ndërprerjes globale që preku për më shumë se 24 orë shërbimet e kompanisë.
Kompania bëri të ditur se shërbimet për konsumatorët u rikthyen plotësisht të premten në orën 16:10 UTC, ndërsa për shërbimet Microsoft 365 të destinuara për ndërmarrjet u raportua një rikuperim i qëndrueshëm, por ende jo përfundimtar.
Siç njofton Reuters, Microsoft tha se po monitoron radhën e mesazheve të postës elektronike të grumbulluara gjatë incidentit, përpara se ta konsiderojë çështjen e shërbimeve për bizneset të mbyllur plotësisht.
“Për shkak të ashpërsisë së ndikimit që shkaktoi ky incident, po monitorojmë për një periudhë të zgjatur, për t’u siguruar që nuk kërkohen veprime të tjera zbutëse”, tha kompania në një përditësim në faqen e statusit të shërbimeve.
Ndërprerja globale e nisur një ditë më parë preku platforma si Outlook, Teams dhe Copilot, duke lënë miliona përdorues pa qasje në postën elektronike dhe mjetet e punës në dhjetëra vende; kompania e kishte lidhur incidentin me probleme në serverë dhe kishte përjashtuar aktivitetin dashakeq.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.