FOKUS – Fico: Sllovakia nuk duhet të përfshihet në luftë për shkak të Nenit 5 të NATO-s
– Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka deklaruar se nuk dëshiron që vendi i tij të përfshihet në një konflikt të armatosur, për shkak të aktivizimit të Nenit 5 të NATO-s, ndërsa paralajmëroi se rreziku i një konflikti më të gjerë në Evropë, është aktualisht shumë serioz, sipas agjencisë shtetërore sllovake TASR.
Deklarata e Ficos erdhi gjatë një takimi me studentë dhe punonjës të një spitali, në qytetin lindor të Presovit.
Ai tha se situata rreth luftës në Ukrainë është përshkallëzuar dhe se retorika ushtarake në Evropë e shqetëson.
“Situata nuk ka qenë kurrë kaq serioze dhe e tensionuar sa tani, përsa i përket mundësisë së një konflikti ushtarak në të gjithë Evropën”, tha Fico.
Duke iu referuar Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Fico tha se, nuk dëshiron që Sllovakia të tërhiqet në një konflikt të armatosur.
“Po, jemi pjesë e NATO-s, e vlerësojmë këtë dhe jemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit dhe përmbushjes së detyrimeve tona. Por, si kryeministër, do të bëj gjithçka që Sllovakia të mos tërhiqet kurrë në një konflikt të armatosur”, tha ai.
Fico ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Neni 5 do të aktivizohej dhe nëse Sllovakisë do t’i kërkohej të dërgonte mijëra ushtarë për të luftuar në një konflikt.
Ai kritikoi atë që e cilësoi si retorikë gjithnjë e më luftarake në Evropë dhe tha se shqetësimi i tij kryesor është mundësia e zgjerimit të luftës në Ukrainë, në një konflikt më të gjerë evropian.
Çfarë parashikon Neni 5?
Neni 5 i NATO-s përcakton parimin e mbrojtjes kolektive, një sulm i armatosur ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Megjithatë, aktivizimi i Nenit 5 nuk do të thotë automatikisht se çdo vend anëtar duhet të dërgojë trupa në një numër të caktuar ose të hyjë në luftë në të njëjtën mënyrë.
Secili shtet përcakton veprimin që e konsideron të nevojshëm, për të ndihmuar aleatin e sulmuar.
Deklarata e Ficos vjen në një periudhë tensionesh të shtuara të sigurisë në Evropë dhe ndërsa lufta Rusi-Ukrainë vazhdon të ngrejë shqetësime për përhapjen e konfliktit përtej territorit ukrainas.
Fico kishte planifikuar të udhëtonte më 18 shtator në Ukrainë për një takim rajonal, por qeveria sllovake njoftoi më pas se ai e kishte anuluar vizitën për shkak të problemeve shëndetësore.
Në vend të tij, Sllovakia u përfaqësua nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Jashtme, Marek Estok./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.