FOKUS – Gjykatësi pezullon ndalimin e CNN, MS NOW dhe “Politico” në Shtëpinë e Bardhë
UASHINGTON, 24 shtator /ATSH-DPA/- Një gjykatës federal në SHBA ka urdhëruar që gazetarëve të CNN, MS NOW dhe “Politico” t’u rikthehet përkohësisht hyrja në Shtëpinë e Bardhë, pasi bllokoi vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i përjashtuar këto media.
Gjykatësi Timothy Kelly tha se gazetarëve u ishin hequr lejet e hyrjes në Shtëpinë e Bardhë pa iu dhënë mundësia të njoftoheshin dhe të paraqisnin argumentet e tyre, siç kërkohet nga Kushtetuta amerikane.
Vendimi i gjykatës do të jetë në fuqi fillimisht për 14 ditë.
Trump njoftoi të premten se CNN, MS NOW dhe “Politico” do të ndaloheshin nga aktivitetet në Shtëpinë e Bardhë, duke i akuzuar për përhapje të informacioneve të rreme.
Gazetarët e tre medieve thanë se të shtunën nuk u lejuan të hynin në territorin e Shtëpisë së Bardhë. Trump kishte paralajmëruar gjithashtu se ndalimi mund të shtrihej edhe te media të tjera.
Vendimi i Trump u kritikua nga organizata dhe media të ndryshme, të cilat e konsideruan atë si një kufizim të lirisë së shtypit.
Në shenjë solidariteti, rrjetet kryesore televizive amerikane pezulluan përkohësisht sistemin e përbashkët të gazetarëve, që mbulojnë aktivitetet dhe udhëtimet e presidentit. CNN është pjesë e këtij grupi televiziv.
Pesë rrjetet televizive që marrin pjesë në këtë sistem, mbështetën një deklaratë të përbashkët, ku thanë se publiku ka të drejtë të marrë informacion të pavarur për aktivitetet e qeverisë dhe se mediat nuk duhet të kufizohen për shkak të mënyrës se si raportojnë.
Mes tyre ishte edhe “Fox News”, media që Trump e ka vlerësuar shpesh dhe që i kushton rregullisht hapësirë të konsiderueshme aktiviteteve të tij. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.