Rubio: Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”
Sekretari amerikan i Shtetit deklaroi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se SHBA synon ta thellojë partneritetin strategjik me Serbinë, ndërsa trajton njëkohësisht çështjet problematike ku është përfshirë Beogradi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, për të cilat ka interesim ndërkombëtar, duke mos zbuluar se për cilat çështje bëhet fjalë. Deklaratën e bëri për mediat në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, sot më 24 shtator 2026.
Rubio theksoi se pavarësisht kësaj, administrata amerikane synon ta thellojë partneritetin strategjik me Serbinë, ndërsa trajton njëkohësisht çështjet që mund të lindin.
“Natyrisht, Serbia është e përfshirë në disa çështje që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe për të cilat ka interesim ndërkombëtar”, tha Rubio. “Por ky është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërsa njëkohësisht merremi me disa nga çështjet e mundshme që mund të shfaqen dhe që e përfshijnë thellësisht Serbinë”.
Ai tha se administrata amerikane tashmë ka ndërmarrë hapa për afrimin e marrëdhënieve me Beogradin — përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera amerikane e kanë vizituar Serbinë — dhe shprehu shpresën se do ta vizitojë edhe vetë vendin që aktualisht udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.