FOKUS – Guterres kërkon kufizimin e armëve autonome vdekjeprurëse, Rusia pengon nisjen e bisedimeve në Gjenevë
GJENEVË, 16 nëntor /ATSH-DPA/- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres u bëri thirrje sot vendeve, të nisin negociatat për hartimin e rregullave ligjërisht të detyrueshme për armët autonome, të cilat mund të identifikojnë dhe të godasin objektiva pa ndërhyrjen e njeriut.
Ndërkohë, Rusia vonoi nisjen e diskutimeve në Gjenevë, duke ngritur kundërshtime procedurale për mënyrën e zhvillimit të konferencës.
“Veproni për të parandaluar përdorimin dhe përhapjen e këtyre armëve të pamëshirshme”, deklaroi Guterres në një videomesazh me rastin e hapjes së takimit të 128 shteteve që janë palë në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Armët e Disa Llojeve Konvencionale (CCW).
“Ju bëj thirrje të ecni drejt negociimit të një instrumenti ligjërisht të detyrueshëm, për rregullimin e sistemeve autonome të armëve, duke përfshirë ndalime dhe kufizime të qarta”, theksoi ai.
Megjithatë, diskutimet nuk nisën sipas planit, pasi delegacioni rus bllokoi miratimin e rendit të ditës së konferencës.
Përfaqësuesit rusë kërkuan që vëzhguesit të lejohen të flasin vetëm në fund të konferencës dhe jo gjatë diskutimit të secilës pikë të veçantë të rendit të ditës. Kjo kërkesë ishte në kundërshtim me rregullat procedurale, të ndjekura deri tani në takime të tilla.
Një përfaqësues i Rusisë akuzoi Bashkimin Evropian, i cili ka statusin e vëzhguesit në konferencë, se në takimet e mëparshme ka bërë deklarata të motivuara politikisht dhe ka përhapur informacione të pavërteta.
Asnjë delegacion tjetër nuk e mbështeti propozimin rus. Megjithatë, drejtuesi i konferencës vendosi të ndërpresë përkohësisht, seancën dhe ta shtyjë vazhdimin e saj për pasdite.
Armët plotësisht autonome vdekjeprurëse, të njohura edhe si “robotë vrasës” (killer robots), janë sisteme ushtarake që mund të identifikojnë, ndjekin dhe sulmojnë objektiva pa pasur nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut në momentin e sulmit.
Ndryshe nga armët tradicionale, ku një person vendos se kur dhe ndaj kujt do të përdoret arma, këto sisteme mund të marrin vetë vendimin për të kryer një sulm, duke u mbështetur në teknologji dhe algoritme kompjuterike.
Ekspertët theksojnë se aktualisht nuk ka prova, që armë të tilla plotësisht autonome po përdoren në konfliktet e armatosura.
Gjatë kësaj jave, 128 shtetet pjesëmarrëse në konferencë do të diskutojnë nëse duhet të autorizojnë nisjen e negociatave për vendosjen e kufizimeve dhe mundësinë e ndalimit të këtyre sistemeve.
Një vendim për këtë çështje mund të merret deri të premten. Shumë vende mbështesin hartimin e një protokolli ligjërisht të detyrueshëm, i cili do të përcaktonte rregulla të përbashkëta, për përdorimin e këtyre armëve dhe kufizimet që duhet të zbatohen.
Megjithatë, disa shtete që kanë industri të mëdha të mbrojtjes, përfshirë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Izraelin dhe Rusinë, kanë shprehur rezerva ndaj kësaj nisme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.