FOKUS – Hungaria përkujton 70-vjetorin e revolucionit antikomunist
BUDAPEST, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës iu bashkuan sot qeverisë hungareze në ceremonitë përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të revolucionit të vitit 1956 kundër regjimit komunist.
Kryengritja nisi më 23 tetor 1956, ndërsa më 4 nëntor të po atij viti, trupat sovjetike e shtypën atë me dhunë.
Ceremonitë e këtij viti u zhvilluan nën drejtimin e qeverisë së re, pas humbjes së kryeministrit populist të krahut të djathtë, Viktor Orban, në zgjedhjet parlamentare të prillit.
Gjatë fjalimit në sheshin Kossuth, përpara ndërtesës së parlamentit në Budapest, kryeministri i ri Peter Magyar kritikoi qëndrimin e paraardhësit të tij ndaj Moskës.
“Kushdo që, pas vitit 1956, justifikon një agresor ose ua nënshtron interesave të një perandorie të huaj interesat e popullit, nuk e ka kuptuar mesazhin e vitit 1956”, deklaroi ai.
Magyar theksoi se Hungaria, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, i përket Perëndimit të lirë dhe demokratik dhe synon të jetë një partnere e besueshme brenda tij.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nderoi vendosmërinë e hungarezëve për liri dhe demokraci, duke deklaruar se demokracia duhet të mbrohet dhe të fitohet vazhdimisht.
Ajo e cilësoi fitoren e Magyarit si një rilindje të demokracisë në Hungari dhe vlerësoi përpjekjet e qeverisë së re për rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Hungaria ra, së bashku me vende të tjera të Evropës Lindore, nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.
Nën pushtimin ushtarak sovjetik u konsolidua gradualisht një diktaturë komuniste, gjatë së cilës partitë politike u ndaluan, kundërshtarët u burgosën ose u ekzekutuan pas proceseve të montuara, ndërsa shtresave të pasura iu konfiskuan pronat.
Udhëheqësi komunist i mbështetur nga Moska, Matyas Rakosi, drejtoi vendin gjatë kësaj periudhe.
Vdekja e diktatorit sovjetik Josif Stalin në vitin 1953 nuk solli fundin e stalinizmit në Hungari.
Pakënaqësia popullore u rrit dhe, më 23 tetor 1956, rreth 200 mijë njerëz dolën në sheshin Kossuth për të kërkuar ndryshime.
Një pjesë e demonstruesve u drejtua drejt bulevardit Dozsa, ku rrëzoi statujën dhjetëmetërshe të Stalinit, e cila peshonte gjashtë tonë.
Situata doli gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit të Partisë Komuniste.
Pas të shtënave të forcave të Sigurimit të Shtetit ndaj demonstruesve më 25 tetor, që shkaktuan një masakër, kryengritësit nisën të armatoseshin.
Një pjesë e madhe e ushtrisë hungareze kaloi në anën e revolucionit.
Në krye të qeverisë u vendos reformisti komunist Imre Nagy, i cili premtoi një socializëm demokratik, me liri të shtypit, tubimeve dhe fesë, si dhe lejimin e partive politike.
Të burgosurit politikë u liruan, megjithëse gjatë kryengritjes pati edhe shpërthime spontane dhune kundër komunistëve dhe agjentëve të Sigurimit të Shtetit.
Më 1 nëntor, Nagy shpalli tërheqjen e Hungarisë nga Pakti i Varshavës, aleanca ushtarake e drejtuar nga Bashkimi Sovjetik.
Tri ditë më vonë, trupat sovjetike ndërhynë në shkallë të gjerë dhe e shtypën kryengritjen pas luftimeve të përgjakshme në rrugët e qyteteve.
Për të rivendosur diktaturën, sovjetikët vendosën në pushtet komunistin Janos Kadar, i cili ndërmori një fushatë të ashpër ndëshkimesh.
Më shumë se 200 pjesëmarrës në kryengritje, mes tyre Imre Nagy dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, u ekzekutuan pas proceseve të përshpejtuara.
Rreth 22 mijë persona u burgosën, ndërsa afërsisht 200 mijë hungarezë u larguan drejt Perëndimit përmes Austrisë.
Gjatë viteve të mëvonshme, regjimi i Kadarit u zbut gradualisht dhe u bë i njohur si “komunizmi i gulashit”, por kryengritja e vitit 1956 mbeti një temë tabu deri në periudhën e tranzicionit demokratik të viteve 1989-1990.
Më 16 qershor 1989, autoritetet komuniste lejuan rivarrimin e Nagyt dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në ceremoninë përkujtimore në Sheshin e Heronjve foli edhe një student i ri, Viktor Orban, i cili më vonë do të bëhej një nga politikanët më të rëndësishëm të vendit.
Orban drejtoi Hungarinë nga viti 1998 deri më 2002 dhe më pas, në mënyrë të pandërprerë, nga viti 2010 deri në humbjen e zgjedhjeve të prillit 2026.
Gjatë qeverisjes së tij, ai u zhvendos nga pozicionet liberale drejt konservatorizmit dhe populizmit të krahut të djathtë, ndërsa kritikët e akuzuan për përqendrimin e pushtetit dhe krijimin e një sistemi gjysmëautokratik të karakterizuar nga korrupsioni.
Afrimi i tij me Rusinë e Vladimir Putinit, veçanërisht nga viti 2014, u konsiderua nga shumë hungarezë si një largim nga idealet e kryengritjes së vitit 1956, e cila synonte çlirimin nga kontrolli sovjetik.
Për këtë arsye, përkujtimi i 70-vjetorit shihet jo vetëm si homazh për viktimat dhe luftëtarët e revolucionit, por edhe si shprehje e shpresës për një kthesë demokratike të vendit.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të bëra në Hungari, kufizimet e lirive gjatë qeverisjes së Orbanit nuk arritën nivelin e represionit të ushtruar gjatë diktaturës komuniste./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.