FOKUS – Shtatë të vdekur, 23 të zhdukur, pas përmbysjes së tragetit me 267 pasagjerë në Qipron e Veriut
STAMBOLL, 30 gusht /ATSH-DPA/ – Një traget me 267 persona në bord u përmbys sot në det, pranë Qipros së Veriut.
Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pas një aksidenti me një traget në brigjet veriore të Qipros.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për 23 persona të zhdukur, ndërsa 237 pasagjerë janë shpëtuar, bëri të ditur presidenti i Qipros Veriore, Tufan Erhürman, për “CNN Türk”
Sipas ministrit turko-qipriot të Transportit, Erhan Arikli, uji nisi të hynte në traget pasi ai u nis nga porti i Kyrenias, i njohur si Girne në turqisht.
Menjëherë pas kësaj u dha alarmi për ndihmë.
Pamjet e transmetuara nga “CNN Türk” treguan persona me jelekë shpëtimi mbi tragetin e përmbysur, ndërsa një helikopter fluturonte mbi zonë.
Në traget ndodheshin 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi.
Një pjesë e tyre janë nxjerrë tashmë në breg dhe janë dërguar në spitalet aty pranë.
Zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yılmaz, tha se Roja Bregdetare turke po merr pjesë në operacionin e shpëtimit në Mesdhe.
Trageti ishte nisur drejt Mersinit, në jug të Turqisë.
Sipas raportimeve të mediave, në momentin e incidentit deti ishte i trazuar.
Qiproja është e ndarë politikisht që nga viti 1974.
Republika Turke e Qipros së Veriut u shpall në vitin 1983, por njihet vetëm nga Turqia.
Bashkimi Evropian e pranoi Qipron si një të tërë në vitin 2004. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.