FOKUS – Sulme te reja amerikane ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigjet shteteve të Gjirit
UASHINGTON/TEHERAN, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar objektiva në Iran për natën e dytë radhazi, mes një mosmarrëveshjeje me Teheranin mbi Ngushticën e Hormuzit.
“Forcat amerikane goditën afërsisht 90 objektiva ushtarake iraniane, duke përfshirë sisteme mbrojtjeje ajrore, asete mbikëqyrjeje bregdetare, vende magazinimi raketash dhe dronësh, aftësi detare dhe infrastrukturë logjistike ushtarake përgjatë vijës bregdetare të Iranit”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në X.
”Vala e fundit e sulmeve ka përfunduar”, shtoi CENTCOM.
Ndërkohë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha se kishte sulmuar përsëri bazat amerikane në shtetet aleate të Gjirit, Kuvajt dhe Bahrein, si kundërpërgjigje.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me sulme edhe më të forta, duke thënë se sulmet ishin në përgjigje të anijeve që po qëlloheshin nga Irani.
“Kjo është në hakmarrje për bombardimin e djeshëm të anijeve nga Irani. Nëse ndodh përsëri, do të bëhet shumë më keq!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
IRGC lëshoi gjithashtu një paralajmërim, duke thënë se nëse ushtria amerikane do të përsëriste atë që ata e përshkruan si agresion të saj, ata do të zgjeronin “përgjigjet e tyre shkatërruese” në baza të tjera amerikane në rajon, sipas një deklarate të publikuar nga mediat iraniane.
Negociatori kryesor i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, shkroi në X herët të enjten: “Amerika ende nuk e ka mësuar se ngacmimi dhe shkelja e premtimeve nuk janë më pa kosto. Më lejoni ta them qartë: nëse sulmoni, do të goditeni.”
Press TV, një transmetues i lidhur me udhëheqjen e Iranit, raportoi se Teherani i kishte bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vepronte menjëherë pas sulmeve të rinovuara “në shkallë të gjerë” të SHBA-së dhe e paralajmëroi Uashingtonin për pasojat.
Media iraniane raportoi shpërthime gjatë natës në disa zona përgjatë bregdetit të vendit, duke përfshirë pranë qytetit të madh Bandar Abbas, qytetit portual të Bushehr dhe ishullit Abu Musa në Gjirin Persik.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit IRNA raportoi herët të enjten se ndërtesat në aeroportin në qytetin e Iranshahr ishin dëmtuar nga predhat.
Transmetuesi shtetëror IRIB raportoi se një urë hekurudhore në provincën verilindore të Golestanit ishte goditur gjithashtu. Press TV tha se ky ishte sulmi i parë amerikan në rajon që nga fillimi i armëpushimit në prill.
Sipas IRGC-së, u godit edhe një urë tjetër./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.