FOKUS – Trump intensifikon përpjekjet për paqe në Ukrainë, negociatorët takohen në Miami
– Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të rifillojnë negociatat për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të takohen sot dhe nesër në Miami me negociatorët ukrainas dhe përfaqësuesit evropianë, për të diskutuar propozimet e reja për t’i dhënë fund konfliktit.
Lajmi është raportuar nga “Axios”, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe ukrainas.
Sipas Axios, administrata Trump synon të arrijë përparim diplomatik përpara dimrit dhe zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat zhvillohen në nëntor.
Megjithatë, deri tani nuk është njoftuar ndonjë marrëveshje e arritur mes palëve.
Një nga propozimet që pritet të diskutohet është një armëpushim i pjesshëm, që do të ndalonte sulmet ndaj objekteve të energjisë dhe transportit të grurit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Kievi është i gatshëm të shqyrtojë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe rifillimin e transportit të grurit përmes Detit të Zi.
Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga “Axios”, Rusia deri tani nuk ka treguar gatishmëri për një armëpushim të tillë.
Për këtë arsye, propozimi mbetet në fazën e diskutimeve dhe nuk ka garanci se do të pranohet nga të dyja palët.
Në bisedimet në Miami pritet të marrin pjesë, nga pala ukrainase, Kyrylo Budanov, kreu i Zyrës së presidentit ukrainas, Rustem Umerov, drejtues i inteligjencës së jashtme, këshilltari diplomatik Serhiy Kyslytsya dhe deputeti Davyd Arakhamia.
Në takim janë ftuar gjithashtu këshilltarët për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, si dhe përfaqësues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Sipas “Axios”, diskutimet do të përfshijnë edhe garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe një plan për rimëkëmbjen e vendit pas luftës.
Witkoff dhe Kushner u takuan dje me presidentin Trump, për t’i paraqitur propozimin më të fundit amerikan dhe për të marrë vlerësimet e tij përpara bisedimeve në Miami.
Në takim morën pjesë edhe sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Needham.
Të dy të dërguarit amerikanë vizituan Moskën dhe Kievin në fillim të shtatorit dhe, që prej asaj kohe, po punojnë për përditësimin e nismës amerikane për paqe.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi dje në Lisbonë se lufta në Ukrainë ndodhet në një situatë ngërçi të rrezikshëm.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje të negociuar, por paralajmëroi se përshkallëzimi i luftimeve mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë rajonal.
Presidenti Zelensky është treguar i kujdesshëm lidhur me rezultatet e mundshme të negociatave.
Ai ka shprehur dyshime nëse Rusia do ta respektojë një marrëveshje për ndalimin e sulmeve dhe ka theksuar se është ende herët të përcaktohet se çfarë mund të arrihet.
Sipas “Axios”, një mundësi tjetër që po shqyrtohet është rikthimi i Witkoff dhe Kushner në Moskë më vonë gjatë tetorit, për bisedime të mëtejshme me presidentin rus Vladimir Putin.
Kjo vizitë, megjithatë, është ende një mundësi dhe nuk është konfirmuar ende. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.