FOKUS – Turqia planifikon të tërheqë trupat nga baza ushtarake në veri të Irakut
NJU JORK, 24 shtator /ATSH-DPA/- Turqia planifikon të tërheqë gradualisht ushtarët e saj nga një bazë e rëndësishme ushtarake në veri të Irakut dhe t’ia dorëzojë kontrollin qeverisë irakiane.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri irakian Ali al-Zaidi ranë dakord për këtë vendim gjatë një takimi në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Iraku është zotuar të ndërmarrë masa kundër grupeve të armatosura të huaja në rajonin Sinjar dhe të rikthejë kontrollin e shtetit në këtë zonë.
Turqia vendosi trupa në këtë zonë në vitin 2015, gjatë luftës kundër organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS).
Turqia ka kryer më parë sulme ajrore në veri të Irakut kundër PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) dhe ka disa baza ushtarake atje.
Aktualisht, Turqia po zhvillon një proces paqeje me PKK-në, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit prej disa dekadash.
Turqia do të tërheqë gradualisht trupat nga baza dhe Iraku do të marrë kontrollin e saj, ndërsa të dyja vendet po përpiqen të përmirësojnë bashkëpunimin.
Ky bashkëpunim përfshin edhe ndarjen e ujërave të lumenjve Tigër dhe Eufrat, ndërtimin e infrastrukturës, tubacionet e naftës dhe zgjerimin e rrjetit rrugor dhe hekurudhor. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.