FOKUS – Von der Leyen, Costa dhe Carney nënshkruajnë deklaratën për “Aleancën për të Ardhmen”
OTTAWA/BRUKSEL, 30 tetor /ATSH/ – Liderët e Bashkimit Evropian dhe Kanadasë kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët për krijimin e “Aleancës për të Ardhmen”, një nismë që synon të thellojë bashkëpunimin strategjik, ekonomik dhe politik mes dy palëve.
Deklarata u nënshkrua në kuadër të samitit dypalësh të zhvilluar në Montreal, nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe kryeministri kanadez, Mark Carney.
Në dokument, të dyja palët theksojnë rëndësinë e marrëdhënieve të konsoliduara ndër vite, të mbështetura në besimin e ndërsjellë, historinë e përbashkët, lidhjet e forta ekonomike dhe vlerat themelore që ndajnë.
“Partneriteti i fortë mes Bashkimit Evropian dhe Kanadasë është rrënjosur thellë në besim, i formësuar nga një histori e përbashkët, nga marrëdhënie të fuqishme ekonomike dhe i mbështetur në vlerat themelore që ndajmë. Ne jemi partnerë me rëndësi strategjike, miq të ngushtë dhe fqinjë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Nisma synon të krijojë një kuadër më të gjerë bashkëpunimi në fusha si tregtia, siguria, mbrojtja, teknologjia, inteligjenca artificiale, energjia dhe lëndët e para kritike.
Gjatë samitit, liderët diskutuan gjithashtu mundësitë për forcimin e integrimit ekonomik, lehtësimin e shkëmbimeve tregtare dhe zgjerimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion.
Nënshkrimi i deklaratës shënon një hap të ri në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Otavës, në një kohë kur të dyja palët synojnë të forcojnë partneritetet ndërkombëtare dhe të rrisin qëndrueshmërinë ekonomike e strategjike përballë sfidave globale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.