FRANCË – 14-vjeçari qëllon me armë gjahu drejtorin dhe një mësues në shkollë, nis hetimi për tentativë vrasjeje
PARIS, 12 tetor /ATSH-AFP/ – Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për një tentativë vrasjeje, pasi një nxënës 14-vjeçar qëlloi sot me armë gjahu drejtorin dhe një mësues në një shkollë në jug të Francës, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.
Gjatë vizitës në shkollë, së bashku me ministrin e Arsimit, Édouard Geffray, Nuñez tha se ngjarja kishte shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal dhe në të gjithë vendin.
Drejtori dhe mësuesi u plagosën në pjesën e poshtme të trupit dhe u dërguan në spital, sipas Audrey Jouaneton, zëvendësprokurore në Marsejë. Nga të shtënat nuk u plagos asnjë person tjetër.
14-vjeçari, i cili është nxënës në shkollën e mesme në Aubagne, dyshohet se e kishte fshehur armën brenda një kutie kitare, në shkollë.
Një mësues arriti ta ndalonte dhe ta neutralizonte atë.
Arsyeja e sulmit mbetet e paqartë. Prokuroria bëri të ditur se ende nuk dihet pse adoleshenti qëlloi dhe nëse kishte zgjedhur që herët si objektiva drejtorin dhe mësuesin.
Sipas zëvendësprokurores Jouaneton, nxënësi nuk dha asnjë shpjegim për motivin e tij, as gjatë sulmit dhe as më pas. Ai u shfaq i qetë pas ngjarjes.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga prokuroria, të shtënat e para u dëgjuan në korridorin e katit të parë.
Më pas, nxënësi u ngjit një kat më lart dhe qëlloi drejt dyshemesë, në drejtim të një mësuesi tjetër.
Ai vijoi rrugën drejt një klase, ku qëlloi në drejtim të dërrasës së zezë, përpara nxënësve.
Në total, u qëllua të paktën katër herë.
Autoritetet theksuan se ngjarja nuk kishte lidhje me protestat e nxënësve që po zhvillohen aktualisht në Francë.
Në shkollën ku ndodhi sulmi nuk kishte protesta apo bllokime.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu solidaritetin e plotë me personat e prekur nga ngjarja, në një reagim të publikuar në rrjetin social X.
Ai vlerësoi gjakftohtësinë dhe reagimin shembullor të mësuesve, duke theksuar se ndërhyrja e tyre kishte shmangur pasoja edhe më të rënda.
Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, nënvizoi se shkolla duhet të mbetet një hapësirë e paprekshme nga dhuna.
Ai bëri thirrje që ndalimi moral dhe shoqëror i sulmeve ndaj mësuesve, të rikthehet dhe të respektohet në familje, në shoqëri, në media dhe në çdo mjedis tjetër. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.