FSHF miraton pjesëmarrjen e Elite Youth Academy në kampionatet elitare U-16 dhe U-17
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar pjesëmarrjen e ekipeve të Elite Youth Academy në kampionatet Abissnet Superiore U-16 dhe U-17 për dy sezonet sportive 2026–2027 dhe 2027–2028. Një vendim që synon të forcojë zhvillimin e futbollit të moshave dhe të krijojë më shumë mundësi për talentet e rinj shqiptarë.
Ky vendim është pjesë e strategjisë afatgjatë të FSHF-së për rritjen e cilësisë së kampionateve të moshave, zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe krijimin e një mjedisi sa më konkurrues për përgatitjen e brezit të ardhshëm të ekipeve kombëtare.
Elite Youth Academy do të marrë pjesë me të drejta të plota në kampionatet elitare, duke respektuar të gjitha rregulloret dhe kriteret organizative të Federatës Shqiptare të Futbollit, njësoj si çdo klub tjetër pjesëmarrës. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen me sistem pikësh dhe do të kenë të njëjtin status sportiv si ndeshjet e skuadrave të tjera.
Gjatë sezonit 2026–2027, akademia do të marrë pjesë në kategoritë U-16 dhe U-17, me futbollistët e datëlindjeve 2011 dhe 2012, ndërsa pjesëmarrja për sezonin pasardhës do të përshtatet sipas strukturës së miratuar të kampionateve të moshave.
Në kuadër të këtij projekti, ndeshjet pritëse të Elite Youth Academy do të zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ndërsa regjistrimi, licencimi dhe të drejtat sportive të futbollistëve do të mbeten pranë klubeve respektive, në përputhje me rregulloret në fuqi.
Përmes këtij vendimi, Federata Shqiptare e Futbollit synon të rrisë nivelin konkurrues të kampionateve elitare, të krijojë një mjedis edhe më cilësor për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe të forcojë bazën e talenteve që në të ardhmen do të furnizojnë ekipet kombëtare shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.