Gjeloshaj: Interesi partiak nuk mund të jetë mbi të ardhmen evropiane të Malit të Zi
Zëvendëskryeministri dhe lideri i Forumit Shqiptar u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve të lënë mënjanë mosmarrëveshjet, në ditën kur Mali i Zi mbyll përkohësisht tre kapituj të tjerë negociues me BE-në
Asnjë individ, funksion apo interes partiak nuk mund të jetë mbi të ardhmen evropiane të Malit të Zi, ka deklaruar sot zëvendëskryeministri dhe lideri politik i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, siç njofton RTCG-ja.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe t’i kushtohen plotësisht përmbushjes së detyrimeve evropiane të vendit, në një moment që e cilësoi historik për Malin e Zi.
Deklarata e Gjeloshajt vjen në ditën kur në Luksemburg u mbajt Konferenca e 29-të Ndërqeveritare Mali i Zi–BE, ku u mbyllën përkohësisht tre kapituj të tjerë negociues: kapitulli 17 (Unioni ekonomik dhe monetar), 18 (Statistikat) dhe 19 (Politika sociale dhe punësimi).
Me këto mbyllje, Mali i Zi arrin në 21 kapituj të mbyllur përkohësisht nga 33 gjithsej, ndërsa objektivi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028, si anëtari i 28-të i Unionit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.