Simulim emergjence në objektin e KEDS-it në Gjakovë: zjarr, evakuim dhe shpëtim i një personi të lënduar
Ushtrimi ndërinstitucional, i organizuar në kuadër të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, testoi gatishmërinë e zjarrfikësve, të policisë dhe të ekipeve mjekësore për reagim në raste zjarri.
Në objektin e KEDS-it në Gjakovë është realizuar një simulim ndërinstitucional për reagim në situata emergjente, me skenar zjarri, evakuimi të personave dhe shpëtimi të një personi të lënduar nga kati i dytë i objektit, siç njofton Telegrafi, duke iu referuar njoftimit të Komunës së Gjakovës.
Sipas njoftimit, aktiviteti kishte për qëllim testimin e gatishmërisë së ekipeve për reagim në raste emergjente, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, si dhe avancimin e aftësive për evakuim, shpëtim dhe ofrim të ndihmës së parë.
Simulimi u organizua nga KEDS-i në kuadër të “Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës dhe ekipet e emergjencës mjekësore.
Përmes këtij aktiviteti u synua vlerësimi i reagimit të institucioneve në situata të rrezikut, si dhe përmirësimi i koordinimit ndërmjet ekipeve përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.
Komuna e Gjakovës ka theksuar rëndësinë e gatishmërisë institucionale dhe reagimit profesional në situata emergjente, me synim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe ofrimin e një reagimi sa më efektiv në raste të tilla, siç raporton Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.