GJERMANI – Shkatërrohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi bankar
FRANKFURT, 14 gusht /ATSH-DPA/- Policia dhe prokurorët kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar mashtrimi, i cili dyshohet se u ka shkaktuar klientëve të bankave dëme prej miliona eurosh.
Pas disa vitesh hetime, autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ato braziliane, kanë goditur rrjetin kriminal dhe kanë arrestuar disa persona të dyshuar, njoftuan sot Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Prokuroria e Frankfurtit.
Sipas një deklarate, tre të dyshuar në Evropë janë identifikuar nën dyshimin për mashtrim kompjuterik në sistemet e bankingut online.
Ata do të ndiqen penalisht në Spanjë dhe Bullgari.
Ndërkohë, autoritetet braziliane, me mbështetjen e BKA-së, zhvilluan dje një operacion të gjerë kundër rrjetit.
Katër persona të dyshuar si anëtarë të grupit u arrestuan, ndërsa u kontrolluan 21 prona në shtatë qytete.
Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer një numër të madh tërheqjesh të paautorizuara nga llogaritë e përdoruesve gjermanë të bankingut online, brenda vetëm disa ditësh në nëntor 2023.
Autoritetet gjermane vlerësojnë se dëmi financiar arrin në miliona euro.
Sipas hetuesve, grupi kriminal kishte shfrytëzuar një dobësi në procesin e regjistrimit dhe përpunimit të transaksioneve te një ofrues shërbimesh pagesash.
Dobësia ishte krijuar pas një përditësimi të gabuar të softuerit.
Paratë e përvetësuara transferoheshin kryesisht drejt Brazilit.
Atje, një pjesë e madhe e shumave të vjedhura tërhiqej pasi autorët kishin ndërmarrë përpjekje për të fshehur identitetin e personave që merrnin paratë.
Hetuesit kanë zbuluar se grupi kishte kryer transaksione të ngjashme edhe në katër vende evropiane.
Të dhënat dhe provat e mbledhura nga autoritetet braziliane do t’i bashkohen tashmë hetimit që po zhvillohet në Gjermani.
Prokurori i lartë Benjamin Krause, drejtues i Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit në Internet (ZIT) pranë Prokurorisë së Frankfurtit, tha se rezultati i operacionit tregon se kriminelët kibernetikë nuk mund të ndihen të sigurt.
Hetimi ndërkombëtar tregon gjithashtu se bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme është bërë thelbësor për gjurmimin e rrjeteve kriminale që përdorin sistemet bankare online për të vjedhur dhe transferuar shuma të mëdha parash. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.