GJERMANI – Zbulohen 300 kilogramë kokainë në arkat me banane
NURENBERG, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Policia gjermane dhe autoritetet doganore kanë zbuluar 300 kilogramë kokainë në arkat me banane në një treg me shumicë në qytetin e Nurembergut, në jug të Gjermanisë.
Sasia e drogës ka një vlerë aktuale në tregun e paligjshëm prej rreth 20 milionë eurosh (afërsisht 22 milionë dollarë), njoftoi sot Zyra Bavareze e Policisë Kriminale (LKA), me seli në Mynih.
Sipas LKA-së, policia u njoftua të hënën nga administrata e tregut, pas një tentative për hyrje me forcë në ambientet e tij.
Pas këtij incidenti, autoritetet kontrolluan arkat me banane që po përgatiteshin për t’u shpërndarë në dyqanet ushqimore.
Një punonjës vuri re se njëra prej arkave ishte më e rëndë se zakonisht.
Gjatë kontrollit, hetuesit zbuluan disa pako me kokainë.
Më pas, policia dhe autoritetet doganore kontrolluan një numër të madh kutish të vendosura mbi 50 paleta, ku zbuluan pako të tjera me lëndë narkotike.
Hetimet paraprake treguan se arkat me banane kishin mbërritur me anije mallrash nga Ekuadori në portin e Vlissingenit, në Holandë, prej nga ishin transportuar drejt Nurembergut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.