Ambasadori Meidani shpërndan abetare shqipe në Jabollçishtën e Poshtme dhe të Epërme
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut vijoi shpërndarjen e abetareve për nxënësit e klasave të para në vendbanimet shqiptare, këtë herë në shkollën fillore "Liria" në Jabollçishtë.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka vijuar aktivitetin për shpërndarjen e abetareve shqipe për nxënësit e klasave të para në vendbanimet shqiptare, siç njofton MacedoniaPress.
Pas vizitës në Nerovë të Krushevës, Meidani ka qëndruar sot në Jabollçishtën e Poshtme dhe në Jabollçishtën e Epërme, ku së bashku me drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Besnik Emini, dhe kryetarin e Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, ka shpërndarë abetare për nxënësit e klasave të para të shkollës fillore “Liria”.
Përmes një postimi në Facebook, ambasadori Meidani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së arsimit në gjuhën shqipe, duke nënvizuar se ruajtja e gjuhës dhe identitetit kombëtar kërkon veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata.
“Sepse nuk ka shkollë aq të vogël, as fshat aq të largët, sa të mbetet jashtë vëmendjes sonë”, ka shkruar Meidani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.