Gjini: Aleanca është e gatshme të bëjë kuorumin për presidentin, por kërkojmë zotim me shkrim
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka bërë të ditur se partia që ai përfaqëson është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për media, Gjini theksoi se Aleanca nuk do ta bllokojë procesin e krijimit të institucioneve dhe se, nëse paraqitet nevoja, është e gatshme të sigurojë edhe kuorumin.
“Ne nuk do ta pengojmë themelimin e institucioneve në asnjë mënyrë. Nëse ka nevojë për kuorum, do ta sigurojmë atë. Megjithatë, kërkojmë një zotim të qartë me shkrim se këto veprime do të ndërmerren. Në këmbim nuk kërkojmë asgjë”, deklaroi ai.
Duke folur për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president, Gjini tha se Aleanca do ta mbështeste një kandidaturë të tillë, por theksoi se kjo nuk është kusht për mbështetjen e procesit.
“Nëse Ramush Haradinaj propozohet për president, vlen e njëjta formulë. Për ne do të ishte nder, por nuk e kemi vendosur këtë si kusht. Besojmë se Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë në këtë periudhë, por nuk duam ta bllokojmë vendin për këtë bindje tonën”, u shpreh ai.
Gjini nënvizoi se Aleanca nuk po kërkon poste politike apo përfitime institucionale në këmbim të mbështetjes së saj. Sipas tij, synimi i vetëm është që pesha politike e partisë të shfrytëzohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Jemi të gatshëm ta bëjmë edhe kuorumin, por kërkojmë diçka që është në dobi të qytetarëve të Kosovës, jo për veten tonë. Nuk kërkojmë ministra, zëvendësministra, ambasadorë, borde apo çfarëdo posti tjetër. Nuk mund të jemi indiferentë dhe të mos e përdorim peshën tonë politike për të ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në fund të fundit, për këtë ekzistojmë”, përfundoi kryetari i Aleancës, Ardian Gjini. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.