Gjini pas mbledhjes së Kryesisë: Aleanca kërkon mbrojtjen e krerëve të UÇK-së dhe rikthimin e normalitetit institucional
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së partisë, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Gjini ka thënë se Aleanca mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale, duke kërkuar njëkohësisht që çështja e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë të mos përzihet me politika partiake.
“Aleanca vazhdon të jetë e prerë nga fillimi në raport me Specialen, derisa, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha palët që procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës sonë shtetërore në asnjë moment të mos e ngatërrojmë me politika partiake”, ka shkruar Gjini.
Duke iu referuar procesit për zgjedhjen e presidentit, Gjini ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi, në një kohë kur po afrohet fundi i afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe më të madhe për qytetarin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjini ka theksuar se Aleanca ka qenë konsistente dhe konstruktive në çështjet që lidhen me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit.
“Aleanca ka qenë konsistente dhe konstruktive për çdo çështje që lidhet me historinë tonë, me të sotmen dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka shkruar kryetari i Aleancës.
Në fund, Gjini ka thënë se Aleanca do të vazhdojë angazhimin politik për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rikthimin e funksionalitetit institucional në vend.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, ka përfunduar Gjini./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.