Gjoba prej 120 milionë eurosh, SHBA mbështet Musk në përplasjen ligjore me BE-në
Qeveria amerikane ka kërkuar zyrtarisht të ndërhyjë në çështjen ligjore të Elon Musk dhe platformës X kundër Komisionit Evropian, lidhur me një gjobë prej 120 milionë eurosh.
Departamenti amerikan i Drejtësisë paraqiti kërkesën në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian në Luksemburg. SHBA kërkon të marrë pjesë në dy çështje ku X dhe Musk kundërshtojnë vendimin e Komisionit Evropian të 5 dhjetorit 2025.
Uashingtoni argumenton se Komisioni Evropian ka zgjeruar në mënyrë të papërshtatshme kompetencat e tij rregullatore ndaj kompanive amerikane. Sipas Departamentit të Drejtësisë, vendimi mund të ndikojë edhe te kompani të tjera amerikane të teknologjisë që operojnë në Evropë.
Komisioni Evropian e gjobiti X pasi konstatoi shkelje të tre detyrimeve për transparencë sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së.
Gjykata e Përgjithshme e BE-së pritet të vendosë nëse do ta pranojë kërkesën e SHBA-së për të ndërhyrë në çështje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.