Gjykata Kushtetuese: Vaksinimi mbetet kusht për kopshte — nuk shkel Kushtetutën
Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi vendosi sot se vaksinimi i detyrueshëm si kusht për qëndrimin e fëmijëve në kopshte nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, sipas raportimit të Portalit Analitika. Vendimi u mor me shumicë votash, pesë me dy.
Gjykata nuk e pranoi iniciativën për nisjen e procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë së kësaj mase. Propozimi i mëparshëm i gjyqtarit-raportues që të niste procedura e vlerësimit nuk arriti shumicën e nevojshme kushtetuese, thekson po ky burim.
Vendimin e ka konfirmuar edhe shërbimi publik kombëtar, RTCG-ja, në raportimin e saj të pasdites të së martës. Kjo i jep fund pritjes javore për vendimin, pasi më 24 shtator gjykata e kishte shtyrë shqyrtimin për sot.
Iniciativat i kishin ngritur shoqata të prindërve të fëmijëve të pavaksinuar, të cilët e kundërshtonin kushtin e vaksinimit si shkelje të të drejtave prindërore. Ata kishin dalë edhe në protestë në Podgoricë më 15 shtator dhe kërkonin që gjykata ta shpallte masën antikushtetuese.
Debati publik u zhvillua më 16 shtator në një seancë dëgjimore të mbyllur për publikun, ku mjekët dhe juristët dhanë vlerësimet e tyre mbi përputhshmërinë e masës me Kushtetutën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.