Siguria në shkolla, Kumbaro nga Kamza: Paketa e sigurisë, standard i njëjtë në të gjithë vendin!
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, deklaroi se paketa e sigurisë në shkolla është rezultat i një bashkërendimi të gjerë ndërinstitucional, me standard të njëjtë në të gjitha shkollat e vendit, nga Gjirokastra te Tropoja.
Duke folur në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku ishin të pranishëm edhe ministrat e Brendshëm, Shëndetësisë dhe Bujqësisë, Kumbaro theksoi se figura e oficerit të sigurisë është një prej elementëve kyç të këtij sistemi.
“Ka një grup përfaqësues të një kategorie shumë të rëndësishme që ne kemi në shkolla dhe që e kemi krijuar në vitet e fundit, që është oficeri i sigurisë. Është një ndër ato figurat kyçe brenda shkollës që tregon se në politikbërje i japim dimension shumë të rëndësishëm dhe vëmendje pikërisht qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve në shkolla,” tha ministrja.
Ajo saktësoi se sistemi i sigurisë nuk mbështetet vetëm te oficeri i sigurisë.
“Nuk është vetëm oficeri i sigurisë. Këtu ka edhe psikolog edhe punonjës social. Në 10 vitet e fundit, në mënyrën se si administrojmë institucionet e arsimit parauniversitar, janë shtuar figurat prezente në shkollë pikërisht për të krijuar një mozaik si një kopsht,” theksoi Kumbaro, duke listuar drejtorin, nëndrejtorët, mësuesit kujdestarë, koordinatorin e cilësisë, koordinatorin e karrierës, psikologun dhe punonjësin social.
Ministrja vuri në dukje se nxënësit kalojnë 5–6 orë në shkollë dhe se programi pas shkolle e zgjeron më tej këtë kohë. Megjithatë, theksoi ajo, shkolla nuk mund të veprojë e izoluar.
“Ne nuk ia dalim dot vetëm… mjedisi tjetër është shoqëria, lagjja, qyteti, familja dhe këtu kemi dhe aktorë të tjerë me të cilët bashkërendojmë. Kjo është arsyeja pse në Kamzën e vogël dhe të madhe njëkohësisht ne jemi sot katër ministra,” deklaroi Kumbaro.
Ajo vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, e cila prej vitesh siguron praninë në hyrje dhe dalje të nxënësve, si dhe gjatë pushimit të madh.
“Vjet në bashkëpunim me policinë e shtetit shtuam prezencën e patrullave… gjatë kohës së pushimit të madh, që na ka rezultuar edhe këtu në Kamëz një moment delikat,” tha ministrja.
Kumbaro informoi se në rreth 20 shkolla në Kamëz dhe Tiranë është instaluar sistemi i kamerave inteligjente, ndërsa në pjesën tjetër të shkollave funksionon rrjeti i kamerave tradicionale. Sipas saj, të gjitha këto masa, të bashkërenduara, rrisin garancitë e sigurisë.
Ajo vuri theksin te komunikimi si element thelbësor.
“Pa asnjë dilemë unë theksin, kryefjalën, mendoj se e ka komunikimi. Komunikimi në të gjitha nivelet, vertikal dhe horizontal… Nëpërmjet komunikimit ne mund të parandalojmë gjëra të cilat pastaj nganjëherë fatkeqësisht s’i kthejmë dot mbrapsht”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se paketa e sigurisë është dakordësuar dhe detajuar deri në klasat më të vogla dhe në shkollat më të largëta, me të njëjtat standarde në të gjithë vendin.
“Standardi i sigurimit, standardi i garantimit të qetësisë është njësoj si në shkollat e Gjirokastrës, të Tiranës apo të Tropojës”, përfundoi Kumbaro.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.