Gonxhja: Buxheti për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, 2,08 miliardë lekë për vitin 2027
Programi “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë” do të financohet me 2,08 miliardë lekë në vitin 2027, me një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2026.
Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës.
Gonxhja tha se “ky nivel financimi përfaqëson një zgjerim të rëndësishëm të mbështetjes publike për mbrojtjen, restaurimin, rijetësimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, duke e vendosur atë në një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë vendore”.
Sipas tij, një tregues i rëndësishëm i zgjerimit të financimit është edhe katërfishimi i fondit të investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj.
“Ky fond për vitin 2027 arrin në 1,11 miliardë lekë, ose 53% të fondit total të programit. Nga viti 2013 deri sot, investimet në kulturë dhe trashëgimi kulturore kanë njohur një transformim rrënjësor, duke e kthyer kulturën në një prioritet të politikave qeveritare dhe trashëgiminë kulturore në një motor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit”, tha Gonxhja, duke shtuar se rezultatet janë të prekshme edhe në vizitueshmërinë e siteve të trashëgimisë kulturore.
“Në vitin 2013, këto site pritën 325 mijë vizitorë gjatë gjithë vitit dhe gjeneruan rreth 53 milionë lekë të ardhura. Ndërsa në vitin 2025 numri i vizitorëve arriti në mbi 1,5 milionë, ose 4,7 herë më shumë krahasuar me vitin 2013. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026, sitet e trashëgimisë kulturore kanë mirëpritur mbi 1,32 milionë vizitorë dhe kanë gjeneruar mbi 528 milionë lekë të ardhura”, theksoi Gonxhja.
Kjo do të thotë, shtoi Gonxhja, se pa përfunduar ende viti, numri i vizitorëve është më shumë se katërfishuar dhe të ardhurat janë rritur dhjetë herë krahasuar me gjithë vitin 2013.
Ministri Gonxhja u shpreh se “periudha 2024-2026 shënon një intensifikim të punës për mbrojtjen, konservimin dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, hartës së trashëgimisë së mbrojtur i janë shtuar 15 qendra historike, ansamble urbane dhe zona të reja arkeologjike, ndërsa investimet dhe ndërhyrjet restauruese kanë shënuar rritje të ndjeshme”.
Sipas tij, në nëntëmujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, investimet në objektet e trashëgimisë kulturore janë pesëfishuar, me rritje 400%.
“Projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimeve arkeologjike janë rritur me 133%, monitorimet dhe inspektimet arkeologjike me 279%, marrëveshjet për monitorim arkeologjik me 32%, ndërsa të ardhurat nga shërbimet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore me 93%”, tha Gonxhja.
Gjatë vitit 2027, ndërhyrjet restauruese, konservuese dhe arkeologjike do të shtrihen në të gjithë vendin, nga Tirana, Durrësi dhe Kruja, në Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, Dropull dhe Leskovik, me synim ruajtjen e trashëgimisë dhe rritjen e potencialit turistik të rajoneve.
“Ndër investimet kryesore është transformimi i Muzeut Historik Kombëtar, përmes restaurimit dhe rikonstruksionit të godinës, si dhe rikonceptimit të plotë të linjës muzeore. Projekti do të mbështetet nga një Njësi e Dedikuar për Zbatimin e Projektit (PIU) dhe asistenca teknike e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), me synimin për ta kthyer muzeun në një institucion bashkëkohor të kujtesës dhe identitetit kombëtar”, tha Gonxhja.
Ndërhyrje janë parashikuar edhe në qendrat historike dhe monumentet e UNESCO-s, përfshirë Kalanë e Gjirokastrës, Kalanë dhe kullat hyrëse të Beratit, si dhe hartimin e Planeve të Menaxhimit për qendrat historike Berat-Gjirokastër.
“Në sitet arkeologjike do të vijojnë konservimi dhe gërmimet në Amfiteatrin Romak të Durrësit, ndërhyrjet në Kalanë e Krujës dhe kërkimet arkeologjike në zonën e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Restaurime do të kryhen gjithashtu në Manastirin e Dervicianit, Kishën e Shën Mërisë në Zvërnec, Kishën e Shën Kollit në Çerçkë, Krutje e Sipërme dhe Vanaj, Xhaminë e Vokopolës dhe Kalanë e Libohovës. Krahas projekteve të mëdha, institucionet e specializuara do të vijojnë punimet e mirëmbajtjes, konservimit dhe monitorimit të monumenteve, për të parandaluar degradimin dhe ruajtur vlerat e tyre autentike”, theksoi Gonxhja.
Një tjetër nismë për vitin 2027 është ndërhyrja për shpëtimin e banesave private monument kulture, përmes një mekanizmi që parashikon ndarjen e kostove të restaurimit ndërmjet shtetit dhe pronarëve.
“Shteti do të mbulojë shpenzimet që lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e vlerave kulturore, ndërsa pronarët pjesën tjetër, sipas preventivit të miratuar. Zbatimi do të nisë në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër, ku ndodhet një numër i konsiderueshëm banesash në rrezik degradimi apo shembjeje. Për vitin 2027 synohet ndërhyrja në rreth 30 banesa, me qëllim ruajtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të tyre”, tha Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.