Gonxhja dënon sulmin ndaj Teatrit të Kukullave: U anulua shfaqja “Mbreti Luan”, të gjitha biletat ishin shitur
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas sulmit ndaj Teatrit të Kukullave gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, duke bërë të ditur se shfaqja “Mbreti Luan”, e planifikuar për orën 18:00, u anulua për shkak të incidenteve në ambientet e godinës.
Në reagimin e tij, Gonxhja bëri të ditur se të gjitha biletat për shfaqjen ishin shitur, ndërsa protestuesit goditën dyert e teatrit dhe hodhën molotovë në ambientet e tij.
Ministri dënoi aktet e dhunës, duke theksuar se sulmi ndaj teatrit prek një institucion që u përket të gjithëve dhe një hapësirë artistike ku fëmijët ndjekin shfaqjet e tyre.
“NDALONI luftën me mullinjtë e erës, STOP djegies dhe shkatërrimit të Teatrit të Kukullave! Fëmijët aty ndjekin shfaqjet e tyre të dashura. BOLL trauma u janë shkaktuar, mos i lini pa skenën e tyre artistike, mos ua anuloni festat, planet, JETËN!”, shkroi Gonxhja.
Ai theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar, ndërsa dhuna ndaj institucioneve publike meriton dënim të qartë.
“E drejta për të protestuar paqësisht garantohet, ndërsa dhuna e verbër ndaj institucioneve që u përkasin të gjithëve meriton dënim të qartë nga gjithësecili”, përfundoi ministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.